Komuna e Dibrës është një ndër komunat ku gjatë vitit të kaluar janë regjistruar numri më i ulët i shitblerjeve të pasurive të patundshme. Po ashtu kjo komunë është në grupin ku çmimet e pasurive të patundshme vazhdojnë të jenë në grupin e komunave me çmime të ulëta, shkruan gazeta KOHA. Këtë, mes tjerëve, gjatë vizitës në Dibër, e deklaroi drejtori i Agjensionit për kadastër, Sllavço Tërpeski. Vetëm 219 kontrata për shitblerje të pasurive të patundshme gjatë vitit të kaluar janë regjistruar në Komunën e Dibrës, përfshi edhe Komunën rurale Qendër Zhupë.
Duke marrë parasysh se tani më Agjensioni për kadastër të pasurive të patundshme mban edhe Regjistër dhe prezanton raporte për të pasur një transparencë të tërësishme, thotë drejtori i Agjensionit, Sllavço Tërpeski, në faqen zyrtare në çdo moment mund të merren të dhënat e shitblerjeve. Tëpeski gjatë qëndrimit në Dibër, ka deklaruar se Dibra bie në komunat, ku përveç numrit të ulët të kontratave për shitblerje, ka edhe një çmim të ulët të banesave, shtëpive si dhe tokës bujqësore.
Sipas tij, mesatarisht një metër katrorë e banesave kolektive gjatë vitit të kaluara në qytetin e Dibrës, ka kushtuar 17mijë e 437 denarë që do të thotë se është një çmim shumë i ulët në krahasim me blerjen e banesave në qytet të tjera të vendit. Sa u takon objekteve afariste që jepen me qira në Dibër, gjatë vitit të kaluar çmimi për një metër katrorë ka qenë 151 denarë, kurse çmimi i tokës po ashtu është shumë i ulët.
Duke i komentuar këto çmime, drejtori i kadastrës, Tërpeski, ka thënë se në Dibër më shumë shiten banesa kolektive në krahasim me shitjen e shtëpive individuale dhe tokës bujqësore. Nga ana tjetër, në Komunën rurale në Qendër Zhupë, situata është e kundërt, atje kryeson shitblerja e tokës bujqësore dhe çmimi i tokës në këtë komunë, në krahasim me tokën bujqësore të Komunës së Dibërë, është dy herë më e madhe.