Site icon Telegrafi

Dibër: Vidhen 4 turistë nga Çekia

Burime zyrtare të policisë konfirmuan për "Gazeta Shqiptare" se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 08:30 të ditës së premte në vendin e quajtur Fusha e Korabit, mbi 40 km larg nga qyteti i Peshkopisë. Mësohet se katër çekët, ndodheshin prej tre ditësh në zonën e njohur të Korabit, dhe ditën e djeshme, kishin planifikuar shëtitjen në luginat dhe gjelbërimin e njohur të fushës së Korabit.

"Fillimisht, persona të paidentifikuar kanë dhunuar(goditur) njërin nga çiftet e bashkëshortëve, duke u grabitur atyre dhe çantat që kishin në shpinë e materialet e tjera. I njëjti fat, pak minuta më pas, u është rezervuar dhe dy bashkëshortëve të tjerë", ka bërë të ditur policia. Sapo çekët kanë kuptuar se kanë rënë pre e dhunuesve, kanë njoftuar ambasadën e tyre në Tiranë. Nga kjo ambasadë është njoftuar ministria e Brendshme. Kjo ka bërë që policia e Dibrës të vihet në kërkim të autorëve.

Në orët e mesditës së djeshme, policia ka marrë dëshmitë e turistëve çekë. Për shkak të largësisë së fushës së Korabit nga qendra më e afër e banuar, dyshohet se dhunuesit mund të kenë qenë çobanë që në periudha të tilla nxjerrin kopetë për verim në bjeshkët e Korabit. Mësohet gjithashtu se deri në orët e vona të ditës së diel, policia shoqëroi mbi 10 persona, por ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e dhunimit e grabitjes të turistëve çekë./Telegrafi/

 

Exit mobile version