Site icon Telegrafi

Dibër, rritet numri i fëmijëve të cilët ngelin pa u vaksinuar

Shpërnguljet masive të dibranëve dukshëm ndikojnë edhe në rregullsinë e vaksinimit të fëmijëve në repartin për vaksinim pranë Shtëpisë së Shëndetit në Dibër, shkruan gazeta KOHA.

Në këtë institucion shëndetësor thonë se është në rritje numri i fëmijëve, të cilët ngelin pa u vaksinuar, edhe atë në fazat e nevojshme të këtij procesi. Nga viti në vit ka një rritje të numrit të fëmijëve, të cilët mbeten pa u vaksinuar, meqë shumë fëmijë, së bashku me prindërit e tyre shpërngulen nga Dibra dhe Komuna Qendër Zhupë.

Vetëm gjatë vitit 2016, 153 fëmijë janë shpërngulur nga komunat Dibër dhe Qendër Zhupë dhe faktikisht u është pamundësuar kontinuiteti i vaksinimit të tyre, thotë për KOHA drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, Lulzim Strikçani. Ai shton se është një numër shumë i madh dhe si i tillë pengon procesin e vaksinimit të fëmijëve që kanë lindur në Dibër. Nga numri i përgjithshëm, 98 fëmijë janë shpërngulur nga Dibra, 17 nga fshatrat Mogorçë dhe Kosovrast si dhe 8 nga fshatrat kufitare të Dibrës. Nga Komuna Qendrë Zhupë janë shpërngulur 30 fëmijë, thekson drejtori Strikçani.

Nëse ky numër krahasohet me vitin 2015, kur janë shpërngulur me familjet e tyre rreth 50 fëmijë, atëherë është qarët se numri i fëmijëve të shpërngulur në botën e jashtme është tre herë më i madh.

Është një dukuri e cila shkakton probleme në procesin e vaksinimit, theksojnë nga Shtëpia e shëndetit. Drejtori Strikçani thotë se, edhe në një situatë të këtillë shërbimi i vaksinimit me një interes të theksuar ndjek lëvizjet të familjet që kanë fëmijë për vaksinim. Në situatat kur familjet nuk marrin azilin e kërkuar në shtete të Bashkimit Evropian dhe riatdhesohen në Dibër, në repartin për vaksinim ndërmerren aktivitete për të vazhduar vaksinimet e nevojshme që ka ngelur pa u realizuar, thotë Strikçani.

Dukuria në fjalë, e cila me të drejtë shqetëson punëtorët në repartin e vaksinimit, por edhe Shtëpinë e Shëndetit në përgjithësi, është një problem i madhe për çështjen e imunizimit të fëmijëve. Bëhet fjalë për një fazë kur imuniteti kryhet në moshat e përcaktuara. Pikërisht në institucionin në fjalë, i cili ka rezultate shumë të larta në sferën e vaksinimit, sqarojnë se vaksinimi i rregullt pengon paraqitjen e shumë sëmundjeve tek popullata. Ka raste kur familjarë të cilët kanë fëmijë minoren para shpërnguljes kërkojnë kartonët e imunizimit, me qëllim që atje ku udhëtojnë të vazhdojnë sistemin e vaksinimit. Po ashtu në momentet kur ka kthime të familjeve nga kurbeti disavjeçar dhe kur fëmijët kanë bërë vaksinimet e tyre deri në një moshë të caktuar në Itali, Zvicër, Austri etj. në përputhje me të dhënat e institucioneve të shteteve ku kanë jetuar në repartin e vaksinimit në Dibër, vazhdojnë imunizimin e mëtutjeshëm.

Në repartin në fjalë po ashtu jepen të dhëna zyrtare për imunizimin edhe për të rriturit të cilët migrojnë. Bëhet fjalë për të dhëna, të cilët u nevojiten individëve apo familjeve të cilët migrojnë si në shtete të Evropës ashtu edhe në SHBA. Shtëpia e shëndetit faktikisht realizon shumë aktivitete në sferën e imunizimit dhe është një ndër institucionet e vendit ku me një aktivitet të gjerë realizon këtë obligim ligjor shëndetësor.

Exit mobile version