Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sot njoftoi se 20 deri 30 përqind e banorëve të Dibrës do t’u bëhet skrining, gjegjësisht do të testohen për të parë nëse kanë fituar imunitet ndaj coronavirusit.
Ai tha se për skrining të popullatës kanë vendosur epidemiologët, pasi ditëve të fundit në Dibër nuk ka raste të reja me Covid-19, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Pasi në Ministrinë e Shëndetësisë kemi marrë donacion 20 mijë teste për të diagnostikuar anti-trupat dhe duke pasur parasysh situatën në Dibër që nuk ka të infektuar të rinj, për të gjithë pacientët që janë shëruar i presim edhe testet e dyta për të parë nëse janë negativizuar. Do të bëjmë edhe një skrining në 20 deri 30 përqind të popullatës në këtë rajon”.
“Me këtë duam të vlerësohet imuniteti i qytetarëve, që do të jetë shembull kyç për atë se çfarë mund të presim në nivel të gjithë shtetit”, tha mes tjerash Filipçe.
Ai shtoi se testim i këtillë do të bëhet edhe në pjesët tjera të vendit, në bazë të zhvillimit të epidemisë.
Ndryshe, Dibra është në karantinë që nga 14 marsi, ndërsa sipas evidencave zyrtare atje janë regjistruar 49 persona me coronavirus./Telegrafi/