Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS), Dardan Gashi ka vizituar sot komunën e Skenderajt, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Bekim Jashari.
Mes tjerash gjatë këtij takimi u diskutua më konkretisht për manifestimin “Dita e Diasporës”, manifestim që ka filluar nga viti 2013, dhe është mbajtur tradicionalisht në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Kështu thuhet në njoftimin për media të MDIS.
Më tutje në këtë komunikatë njoftohet se edhe këtë vit ministri Gashi dhe kryetari Jashari, u dakorduan që gjatë datës 1 gusht, tradicionalisht të organizohen homazhe tek varrezat e familjes Jashari për bashkatdhetarët, organizim i përbashkët mes përfaqësuesve të familjes Jashari, Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
“Në këtë ceremoni do të merr pjesë edhe Ministri i Shtetit për Diasporën nga Shqipëria, Pandeli Majkos i dhe personalitete të tjera nga jeta politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ndryshe, data 2 gusht në Kosovë është e rregulluar me Ligjin mbi Diasporën, dhe shënon ditën e Diasporës. Gjatë dy ditëve, Ministria e Diasporës në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, organizon aktivitete të shumta dhe ndër të tjera t ndan çmime për Mërgimtarin e Vitit si dhe çmimin për gazetarin /storien e vitit për Diasporën. Gjatë ditëve në vijim, MDIS do të publikojë edhe kalendarin e aktiviteteve për këto dy ditë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/