Site icon Telegrafi

“Diaspora Flet” në Kuvend

Nesër, dyert e Kuvendit të Kosovës do të hapen për të pritur diasporën në një seancë pune.

Përmes konferencës katërditore “Diaspora Flet”, Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim Germin, mundëson që bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës të debatojnë me deputetët për çështje që lidhen me diasporën dhe të drejtat e tyre.

Kryeparlamentari Kadri Veseli do të moderojë seancën e punës dhe do të bëjë hapjen e saj para se t’ia japë fjalën profesionistëve të fushave të ndryshme të diasporës shqiptare, për t’iu dëgjuar zëri rreth temave të ndryshme që lidhen me të drejtat politike, shoqërore e ekonomike.

Richard Lukaj, drejtor ekzekutiv i “Bank Street Group” në Nju Jork do të flasë për investimet strategjike dhe edukimin, Brikena Muharremi, avokate dhe anëtare e bordit Germin si dhe udhëheqëse e shoqatës së avokatëve shqiptaro-britanik në Londër të Britanisë së Madhe, do të flas për qasjen institucionale në të drejtën e diasporës për votë.

Po ashtu nga një fjalë do të mbajnë edhe Mark Kosmo, anëtar i bordit Germin dhe udhëheqës i MAASBESA në Boston, Lulzim Syla nga NRW në Gjermani, Indira Kartallozi, nga Antverpen në Belgjikë dhe Hilmi Gashi.

Pas përfundimit të mbledhjes kushtuar diasporës, pjesëmarrësit e konferencës do të jenë pjesë e katër mbledhjeve të ndara nëpër komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Nga të gjitha sesionet e punës përfaqësuesit e diasporës së bashku me deputetët do të dalin me rekomandime për mënyrën e përfshirjes së diasporës në krijimin e politikave që avancojnë situatën e diasporës dhe shoqërisë së vendeve të tyre të origjinës.

Vendi: Salla plenare e Kuvendit – Koha: 10:00

Fjalim hyrës: Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Fjalim: Behar Xharra, Drejtor Ekzekutiv, Germin

Fjalime nga kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës

Fjalime nga gjashtë pjesëmarrës nga diaspora:

Brikena Muharremi, avokate dhe anëtare e bordit të Germin, si dhe udhëheqëse e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanik, Londër,Britani e Madhe (Qasja Institucionale për të Drejtën e Votës);

Richard Lukaj, Drejtor Ekzekutiv, Bank Street Group, Konsull nderi për Shqipërinë dhe anëtar i Bordit të Universitetit Amerikan në Kosovë, New York, SHBA (Investimet Strategjike dhe Edukimi);

Lazim Destani, Drejtor Gjeneral i Ecolog International (Filantropia dhe Investimet kapitale);

Mark Kosmo, anëtar i bordit të Germin dhe udhëheqës i Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Massachusetts BESA, Boston, SHBA  (Angazhimi i Diasporës, roli Institucional dhe Filantropia);

Indira Kartallozi, Kaleidoscope Futures Lab, anëtare e Bordit të Germin, Antwerp, Belgjikë (Ndërmarrësia dhe Ndërmarrjet shoqërore);

Hilmi Gashi, anëtar i bordit të Germin, bashkëkryesues i UNIA për Rajonin Berner Oberland, Bern, Zvicër (Migrimi qarkor dhe transferimi i njohurive);

Lulzim Syla, Elen Group, NRW, Gjermani (Politikat Ekonomike dhe Zhvillimi Lokal). 

Puna në katër komisione parlamentare – 13:00 – 15:30

 13:00 – 15:00, Salla N10, Takimi i Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike

 13:00 – 15:00, Salla N204, Takimi i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi

 13:00 – 15:00, Salla N302, Takimi i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

 13:00 – 15:00 Salla, N 303, Takimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal/Telegrafi/

Exit mobile version