Dialogu teknik Kosovë-Serbi ka mbetur prapa pasi tashmë fokusi është tek dialogu i fazës finale të udhëhequr nga krerët e lartë të dy vendeve Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.
Shefi i Delegacionit të Kosovës në Bruksel, Avni Arifi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk e dinë se çdo të ndodh me dialogun teknik Kosovë-Serbi.
Arifi theksoi se për momentin nuk ka asnjë zhvillim nga ky dialog teknik.
“Asnjë zhvillim. Nuk e di”, ka thënë shkurt Arifi.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për Telegrafin ka thënë procesi për zbatimin e marrëveshjeve teknike është ndalur.
Sipas saj, afatet kohore për zbatimin e këtyre marrëveshjeve janë tejkaluar tashmë të gjitha.
“Ndërsa është hapur faza përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi dhe po synohet përmbyllja e këtij procesi, mungesa e transparencës mbetet tejet e theksuar ashtu si në dy fazat e mëhershme. Mungesa e transparencës, mos publikimi i marrëveshjeve, trajtimi i ndryshëm që palët i kanë bërë marrëveshjeve duke i cilësuar ato herë si dakordësim, herë si konkluza, ambiguiteti konstruktiv si koncept për akomodim të palëve, mos nënshkrimi i tyre apo dhe mos ratifikimi i tyre në Kuvend, e ka bërë procesin të paqartë dhe ju ka lënë palëve diskrecion në interpretim në radhë të parë dhe mos gatishmëri për zbatim të tyre. Duket që ka një ndalje të procesit të zbatimit të marrëveshjeve teknike, ndërsa afatet kohore për zbatimin e këtyre marrëveshjeve janë tejkaluar tashmë të gjitha”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi po ashtu tha se i gjithë procesi i dialogut është politik pasi është reflektuar edhe në ngecjet për zbatimin e marrëveshjeve.
“Edhe pse i kamufluar si një proces teknik në fakt i gjithë procesi i dialogut është politik gjë që është reflektuar edhe në ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve. Mos respektimi i afateve kohore për zbatimin e marrëveshjeve dhe mos zbatimi i marrëveshjeve ka ndikuar negativisht në kredibilitetin e procesit të dialogut dhe arritjen e synimeve të parapara”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.
Ajo gjithashtu tha se në fazën e re të bisedimeve po diskutohen opsione ekstreme të lëvizjeve të kufijve në Ballkan, duke shtuar se detyrë e BE-së është që të qartësojë në fakt se çfarë po përgatitet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare.
“Tani më po paralajmërohet një fazë e re e bisedimeve, ndërsa nuk po hezitohet të diskutohen edhe opsionet ekstreme të lëvizjes së kufijve në Ballkan. Kjo në bazë të qëndrimeve zyrtare të BE-së por edhe të akterëve tjerë të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, të cilët në mënyrë herë eksplicite e herë implicite kanë lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Mendoj se është detyrë e BE-së që ta qartësojë se çfarë në fakt po përgatitet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare, meqë edhe presidentët Thaçi dhe Vuçic po flasin hapur pothuajse secilën ditë. Opinioni në Kosovë dhe ai në Serbi duhet ta ketë të qartë se çfarë po ndodh në të vërtetë në terren, pasi gjatë gjithë kësaj kohe është krijuar një mosbesim”, potencoi ajo.
Krasniqi, shtoi se BE ka një pjesë të fajit duke pretenduar që është vetëm ndërmjetësues dhe jo interpretues i marrëveshjeve.
“BE ka pjesën e fajit të saj duke pretenduar që është vetëm ndërmjetësues dhe jo interpretues i marrëveshjeve dhe duke mos garantuar zbatimin e tyre dhe duke e lënë në diskrecionin e palëve zbatimin e marrëveshjeve”, tha ndër të tjera Jeta Krasniqi nga KDI.
Ndryshe, takimi i radhës me presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksander Vuçiq pritet me 7 shtator me ndërmjetësimin e shefes së për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, ndërsa opozita ka thirrë seancë të jashtëzakonshme për dialogun dhe sic kanë deklaruar ata për ndaljen e Presidentit Thaçi për t’i udhëhequr bisedimet. /Telegrafi/