Telegrafi

Dialogu social ndikon në inkuadrimin e të rinjve dhe grave në tregun e punës

Instituti Demokraci për Zhvillim ka organizuar punëtorinë “Dialogu social për fuqizim”, me fokus përfshirjen e më shumë të rinjve në këtë proces.

Drejtori ekzekutiv i D4D, Shpend Emini, duke folur për rëndësinë e dialogut social tha se funksioni i tij qëndron në sigurimin që bizneset të respektojnë kushtet e punës dhe sigurimin e llogaridhënies së bizneseve dhe sektorit privat në veprimtarinë e tyre.

Në të njëjtën kohë, dialogu social sipas Eminit, punëtorëve dhe atyre që kërkojnë punë iu siguron pjesëmarrje që të shfaqin brengat dhe nevojat por edhe një mundësi për të kërkuar përmirësim të politikave që ndërlidhen me treg të punës.

Kombinimi i këtyre të dyjave, sipas Eminit kontribuon në një partneritet dhe zhvillon një mirëkuptim të ndërsjellë të problemeve që mund të rezultojnë me politika më të mira dhe një qëndrueshmëri ekonomike.

“Kjo punëtori e sotme ka mbledhur rreth vetes pjesëmarrës nga shoqëria civile, organizimet sindikale në Kosovë, aleancat dhe odat ekonomike, të rijnë dhe të reja nga të gjitha anët e Kosovës për të diskutuar përfshirjen sa më të madhe të rinisë e posaçërisht të grave në këtë proces, sfidat, mundësitë dhe zgjidhjet e implementimit të Agjendës për Punë të Dinjitetshme në Kosovë, mënyrat e avokimit dhe pjesëmarrjes më të madhe në dialogun social dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në fuqinë punëtore”, tha Emini.

Menaxheri i projektit, Durim Hoxha, tha se punëtoria e sotme është vazhdimësi e shumë aktiviteteve që janë organizuar vitin e kaluar.

“Me dialogun social mundohen që të përfshijnë temat që kanë të bëjnë me tregun e punës, siç janë punësimi i të rinjve, të drejtat e punëtorëve e kështu me radhë… Ne shpresojmë se diskutimi i sotëm i zhvilluar në grupe do të ndihmojë të draftojmë disa konkludime rreth mundësisë së përfshirjes së të rinjve në dialogun social dhe këto pastaj t’i adresojmë në Këshillin Ekonomik si një organ vendimmarrës rreth kësaj teme”, tha ai. /KP /Telegrafi/