Sipas paralajmërimeve, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të rifillojë në muajin dhjetor. Tani veçse është zyrtarizuar se niveli i bisedimeve do të kalojë në një shkallë tjetër, nga ai i kryeministrave në të presidentëve.
Megjithatë, përveç akterëve, njohësit e çështjeve politike në vend thonë se duhet të ndryshojë edhe qasja e këtij dialogu, transmeton zeri.info.
Sipas tyre, ky dialog nuk mund të vazhdojë sikur deri më tani pa u caktuar interesat nacionale. E fazën e fundit të tij dhe të marrëveshje për paqe së fundmi e kanë përmendur edhe presidentët e të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Mirëpo një gjë e tillë po shihet vështirë e arritshme për momentin.
Profesori universitar Dashnim Ismajli ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para se t’i caktohet afati i vazhdimit duhet që Bashkimit Evropian t’i bëhet e ditur se mosndryshimi i qasjes së dialogut nuk do të sjellë ndryshime. /Zëri/