Dialogu me Serbinë shihet si zgjidhje e vetme për të arritur deri te një marrëveshje për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, askush në Prishtinë, nga tabori opozitar nuk preferon që të ulet në ekipin negociator të cilit do t’i printe presidenti Hashim Thaçi.
Më 18 korrik, Thaçi megjithatë nuk do të jetë i vetëm në Bruksel, ngase ai pritet të shoqërohet nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë tjerë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli e zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.
Por, në takimin me Vuçiqin, Thaçi do të ulet sërish i vetëm.
Presidenti Thaçi dhe posaçërisht partitë e koalicionit qeverisës, janë zemëruar shumë sidomos me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila në kohën kur ishte në pushtet ishte pjesë e dialogut, kurse tani nga opozita, refuzon çfarëdo përfshirje.
Tendenca e vazhdueshme është që në ekipin e ardhshëm të mos mbeten anash as LDK-ja, parti kjo që ka qenë pjesë e të gjitha negociatave të deritashme me Serbinë. Por, po ashtu, që procesit t’i prijë presidenti Thaçi, i cili në vazhdimësi ka qenë ne krye të negociatave politike me Serbinë.
Presidenti Thaçi është në përpjekje të krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës për fazën e fundit të bisedimeve me Serbinë, por aktualisht ai nuk po e gjen mbështetjen e opozitës.
Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se përtej mosmarrëveshjeve, faktori politik në Kosovë duhet ta kuptojë se nevojitet një konsensus dhe kompromis politik për të vazhduar tutje procesin.
“Nëse ka mosmarrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës dhe opozitës, atëherë duhet të gjendet zgjidhje kompromisi dhe si të themi e marrëveshjes. Mund të caktohet edhe dikush tjetër që t’i udhëheqë bisedimet, por kjo duhet ta bëhet në Kuvendin e Kosovës”, tha Tahiri.
Ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike, Kadri Veseli ai i cili e qortoi LDK-në se për inate dhe për faktin që vet nuk është në pushtet, po i bllokon të gjitha proceset, përfshi edhe dialogun.
“Sot kemi një bllokadë për arsye më tepër të inateve. Kanë për të na vonuar kështu 3- 4 muaj që të na hidhërojnë me partnerët tanë që të tregohemi se jemi të pafuqishëm dhe të njëjtën kohë pastaj të thuhet hajde se bëhemi bashkë. Opozita duhet t’i bashkohet tani këtij karvani. Kur kemi qenë bashkë kemi fituar më shumë, por realisht ky pozicioni bukur për inat i LDK-së është duke e dëmtuar Kosovën”, thekson Veseli.
Por, deklaratat akuzuese të Veselit, LDK nuk i merr shumë afër zemrës. Kjo parti politike, sipas shefit të Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti përfshihet në dialog nëse Kosova paraprakisht hyn në zgjedhje të parakohshme dhe formon institucione të reja. Ai është i bindur se këto institucione nuk kanë legjitimitet për të udhëhequr me dialogun, aq më tepër kur Qeveria e ka humbur shumicën në Kuvend, kurse presidenti, sipas LDK-së, nuk ka mandat që të udhëheqë me dialogun.
“Në parim, LDK-ja qëndron si parti për dialog, sepse është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur çështjet, por dialogu duhet të zhvillohet nga institucionet që janë legjitime. Për momentin nuk ka institucione legjitime që mund të udhëheqin me këto procese të rëndësishme, prandaj e kemi bërë të qartë se sa më parë që shkojmë në zgjedhje dhe prodhojmë institucione legjitime, është më mirë për vendin”, tha Hoti.
Kur është në pyetje legjitimiteti i përfaqësimit të Kosovës në institucione, politologu Ramush Tahiri thotë se nëse me të vërtetë nuk ka legjitimitet, atëherë opsion mund të jenë edhe zgjedhjet. Por, në çdo rast, ai thotë se fjalën e fundit rreth çdo marrëveshje që mund të arrihet me Serbinë duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës.
“Çdo dialog, marrëveshje që nënshkruhet dhe nuk kalon në Kuvend ose nuk ka kredibilitet ai është dialog koti, sepse nuk mund të zbatohet”, tha Tahiri.
Gjatë javës, presidenti Thaçi tha se ai i vetëm nuk mund ta marrë sipër barrën e dialogut, ndërkohë që ia rikujtoi LDK-së dhe opozitës, se procesi nuk mund të bllokohet.
“Askush nuk do të mund ta përmbyllë i vetëm këtë proces, por askush i vetëm nuk do të mund ta bllokojë, apo të vë veto në përmbylljen e këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm”, u shpreh Thaçi.
Ideja e Thaçit për një ekip klasik negociator, sikurse në procesin e Vjenës, nuk është shumë e preferuar as për kryeministrin Ramush Haradinaj. Ky i fundit, i ka dhënë përkrahje të plotë Thaçit që ta udhëheqë dialogun, por beson se janë institucionet e Kosovës ato që duhet t’i marrin përgjegjësitë. Ndërkaq nga opozita, më shumë pret që të përfshihet në debatin dhe konsensusin e brendshëm i cili do të jetë i domosdoshëm për ratifikimin e marrëveshjes që mund të arrihet me Serbinë.
“Prej konsultave që kam pasur mundësinë t’i bëj, mendoj që është një klimë më e mirë tash, pra Kosova përfaqësohet nga institucionet e vendit, të cilave iu prin presidenti me Kushtetutë dhe me funksion, e njëkohësisht edhe partitë politike parlamentare janë të nevojshme, pra edhe LDK, PSD e Vetëvendosje”, thotë Haradinaj.
Përderisa mosmarrëveshjet vazhdojnë, subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate, që drejtohet nga Shpend Ahmeti, ka iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për të hënën ku do të diskutohej rreth dialogut, para se presidenti Thaçi të udhëtojë për në Bruksel, ku të mërkurën pritet të vazhdojë dialogun politik me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Sipas Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.