Site icon Telegrafi

Dialogu me marrëveshje të neglizhuara

Tre vjet më parë, përfaqësuesit e kompanisë ‘Stone Castle’ nga Rahoveci i Kosovës – e cila merret me përpunimin e rrushit dhe prodhimin e pijeve alkoolike – ishin nisur drejt kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, për të marrë pjesë në një panair.

Gjatë rrugës ata ishin njoftuar nga organizuesit se emri i Kosovës nuk guxon të figurojë askund dhe as në produktet e ekspozuara në panair. Kompania Stone Castle kishte parapaguar pjesëmarrjen.

Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në ‘Stone Castle’, thotë se paratë e parapaguara për pjesëmarrje në këtë panair, nuk u janë kthyer nga organizatorët e panairit që ishin nga Serbia dhe Greqia, ndërkaq që dokumentet e Kosovës për produktet e kompanisë së saj, ishin problem shtesë.

“Një mal me probleme të tjera na i kanë krijuar edhe me dërgesën e pijeve në të njëjtin panair, me justifikime të ndryshme për probleme në dokumentacion, që në fakt nuk ishin reale. Një rast tjetër konkret, kishim punë për shkak të disa problemeve juridike me një ish-blerës që kemi pasur në Serbi. Sa herë që u jemi qasur avokatëve apo noterëve në shtetin e Serbisë, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar ndonjë dokument, në të cilin figuronte shkrimi apo logoja e Republikës së Kosovës”, theksoi Kurshumlia.

Fakti tjetër bezdisës, sipas saj, për të gjitha kompanitë e Kosovës që eksportojnë produkte në Serbi, është pritja e gjatë që imponojnë autoritetet serbe për ndërrimin e targave të automjeteve, për të qarkulluar brenda territorit të shtetit të Serbisë.

Krasniqi: Dykuptimësia e marrëveshjeve dhe moszbatimi i tyre

Të gjitha këto probleme, por edhe të tjera, janë rezultat i moszbatimit ose zbatimit të pjesshëm të marrëveshjeve të arritura gjatë procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i cili më 8 mars shënon 10 vjet që nga fillimi i tij, vlerëson Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Siç thekson ajo procesi i dialogut Kosovë-Serbi kishte nisur me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike, për të kaluar më pas në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Siç thotë Krasniqi, gjatë 10 vjetëve të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, besohet që janë arritur 31 marrëveshje, për të cilin numër, sipas saj, ka mjaft kontestime, për shkak se disa prej marrëveshjeve janë negociuar sërish dhe ka pasur dokumente shtesë mbi ato marrëveshje.

Në përgjithësi, shtoi ajo, procesin e bisedimeve në Bruksel e ka mbizotëruar mungesa e transparencës dhe një pjesë e dokumenteve që kanë të bëjnë me marrëveshjet ende nuk janë publike.

“Shohim që vetëm një numër i vogël i tyre ( marrëveshjeve) kanë arritur zbatim të plotë dhe në përgjithësi ato nuk janë zbatuar plotësisht. Një pjesë e tyre kanë filluar të zbatohen, kanë ngecur, një pjesë e tyre nuk janë zbatuar ende. Pra, duket që nuk ka një zbatim të mirëfilltë të këtyre marrëveshjeve, duke e ditur në të njëjtën kohë që edhe vetë Bashkimi Evropian, nuk është se ka krijuar mekanizma zbatues për këto marrëveshje. Duke qenë që edhe marrëveshjet e kanë atë natyrën e dykuptimësisë, interpretimet e ndryshme nga Kosova dhe nga Serbia, kanë bërë që të ketë mungesë të zbatimit, duke e ditur, normalisht, që ka pasur edhe mungesë të vullnetit politik ”, theksoi Krasniqi.

Dyshtetësia problematike

Moszbatimi i disa prej marrëveshjeve të arritura në bisedimet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Ndërrimi i targave të përhershme me targa të përkohshëm (prova) gjatë qarkullimit të automjeteve të Kosovës në territorin e Serbisë, është pjesë e marrëveshjes së lëvizjes së lirë të arritur në vitin 2011. Kjo ndodhë në çdo vendkalim kufitar me Serbinë. Në anën tjetër, automjetet me targa nga Serbia, qarkullojnë në Kosovë me targat e tyre origjinale. Edhe pse është thënë se Kosova do t’i mbulojë simbolet shtetërore të Serbisë në targa, kjo kurrë nuk është zbatuar.

Këtë e konfirmon edhe Florenti, identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë. Ai jeton në Prishtinë, por vendlindjen e ka në Preshevë dhe shpeshherë udhëton për atje.

Procesi i ndërrimit të targave, sipas tij, merr kohë dhe shpeshherë krijon tollovi në vendkalimet kufitare me Serbinë. Targat “provë”, siç thotë ai, paguhen në vlerën prej 5 eurove dhe vlejnë dy muaj.

Por, për më shumë, siç rrëfen Florenti, për qytetarët shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë dyshtetësi, atë të Kosovës dhe të Serbisë, problemet lindin me patentë-shofer, gjë që në fakt është e rregulluar me marrëveshjen e lëvizjes së lirë.

Ai kishte marrë dënimin nga policia serbe prej 1,000 eurosh, për shkak se si person me dyshtetësi, të Kosovës dhe të Serbisë, po voziste me patentë-shofer të Kosovës.

“Arsyeja ka qenë vetëm pse i kam dy nënshtetësi. Kam paguar diku rreth 1,000 euro. Arsyen e dënimit (policia) e ka shkruar sikur të isha pa leje. Kam qenë me veturë, tabelat i kam pasur KS. Më janë kërkuar dokumentet e Kosovës dhe ua kam dhënë. Më kanë pyetur nëse kam dokument të Preshevës dhe i kam thënë që po. Në momentin që më ka thënë ‘ma jep letërnjoftimin e Serbisë’, dokumentet e Kosovës mi kanë kthyer prapa dhe e kanë shkruar ‘nuk ka leje për vozitje’. Do të thotë, sikur me qenë pa patentë-shofer. Pastaj kam shkuar në gjyq dhe gjykata më ka dënuar. Unë e kam pyetur edhe komandantin e policisë, një serb. Më tha “po të mos e kishe edhe nënshtetësinë e Serbisë, mund të vozitësh, por t’i që i ke dy nënshtetësi, nuk ke të drejtë. Është shumë e çuditshme”, tha Florenti.

Pabarazia në njohjen e diplomave

Në korrik të vitit 2011, Kosova dhe Serbia, ishin marrë vesh në Bruksel për pranimin e ndërsjellë të diplomave universitare të të dyja vendeve. Në prill të vitit 2016, palët kishin rikonfirmuar se do të zbatojnë marrëveshjen për pranimin reciprok të diplomave profesionale dhe akademike.

Por, Kosova kishte bërë një hap më përpara në vitin 2015 duke sjellë dekretin për procedurat dhe kriteret për lëshimin e certifikatave për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mbaruar Universitetin e Mitrovicës së Veriut, i cili punon sipas sistemit të Serbisë.

Në vitin 2016, në Kosovë filloi procesi i njohjes së këtyre diplomave dhe kërkesat për verifikim ishin dorëzuar nga 1.735 të diplomuar, prej të cilëve mbi 1.650 janë aprovuar.

Fismir Jahiu, shqiptar nga Bujanoci, një komunë në jug të Serbisë, i cili ka diplomuar në studimet e nivelit master për Ekonomi në Universitetin e Prishtinës, megjithatë nuk i është pranuar diploma nga autoritetet serbe.

Ai më herët i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se me diplomën nga Kosova, nuk ka arritur të punësohet në institucionet publike ose shtetërore të Serbisë.

“Pra ne, në Entin e Punësimit, njihemi vetëm si gjimnazistë, pra si njerëz që kanë përfunduar shkollën e mesme. Nuk na njihet shkollimi i lartë që kemi përfunduar në Universitetin e Prishtinës”, pati thënë Jahiu.

Por, kjo situatë nuk është edhe me të rinjtë serbë në Kosovë, të cilët kanë përfunduar shkollimin e lartë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, që punon sipas sistemit të Serbisë, si dhe në universitetet në Serbi.

Predrag Milkoviq nga Lipjani, në afërsi të Prishtinës, ka diplomuar në Fakultetin Juridik në kuadër të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Në vitin 2018, për shkak të karrierës profesionale të mëtejshme, ai e kishte verifikuar diplomën në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Kosovës.

Milkoviq sqaron se procesi i verifikimit të diplomës është mjaft i thjeshtë.

Ai sot punon si avokat në Mitrovicën e Veriut dhe sipas tij, pa verifikimin e diplomës, nuk do të mund të punonte dhe të ngrihej profesionalisht.

“Me diplomën e universitetit tonë nuk mund ta kaloni provimin e jurisprudencës. Një nga kushtet, kur e dorëzoni dokumentacionin, është verifikimi i diplomës. Verifikimi i diplomës është i domosdoshëm, sepse nuk mund të punësoheni në asnjë institucion të Kosovës pa një verifikim të tillë”, theksoi Miljkoviq.

Serbia nuk pranon Asociacionin sipas vlerësimit të kushtetueses

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron që është e qartë që Kosova ka zbatuar një pjesë më të madhe të marrëveshjeve, në krahasim me Serbinë, autoritetet e të cilës, e thonë të kundërtën.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi ka hedhur akuza në adresë të Prishtinës zyrtare për moszbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, sipas Krasniqit, autoritetet serbe madje patën mohuar se është arritur edhe marrëveshja për energjinë. Siç thotë ajo, marrë parasysh që procesi i dialogut ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Serbia ka bërë të kundërtën duke sabotuar shtetin e Kosovës.

Krasniqi thekson që çështja e Asociacionit, tashmë është një çështje ku Gjykata Kushtetuese e ka thënë qartë vendimin e saj, se ajo nuk ka qenë në harmoni me Kushtetutën e Vendit, por se që Asociacioni duhet të formohet duke u harmonizuar me kushtetutën.

“Kosova ka shprehur vullnetin e saj ta bëjë këtë në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por Serbia nuk është e gatshme që ta bëjë këtë. Prapë, ndonëse kjo marrëveshje nuk është zbatuar, ne kemi gatishmërinë që ta bëjmë atë, por Serbia nuk është e interesuar për aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet

Më 8 mars të vitit 2011, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kishin nisur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, patën filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e parë e arritur më 2011 ishte për regjistrat civilë, pastaj marrëveshja për lirinë e lëvizjes, vulat doganore, pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufirit, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomin dhe për vizitat zyrtare.

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të së cilës ishte edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në vitin 2015 është arritur marrëveshja për parimet se si duhet të formohet Asociacioni, si dhe marrëveshjet për shpërbërjen dhe integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në veri të Kosovës, marrëveshja për njohjen reciproke të policave të automjeteve, për energji, si dhe marrëveshja për cetifikatat ADR.

Ndërkaq, në janar të vitit 2017, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për integrimin e gjyqësorit në veri të vendit.

Pas shkak të mospranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntor të vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina. Ky vendim shkaktoi një ngërç në procesin e negociatave, sepse Beogradi zyrtar nuk pranoi të kthehej në Bruksel derisa të shfuqizohet vendimi për tarifat.

Dialogu rinisi në korrik të vitit 2020, me takimin e kryeministrit të Kosovës, tashmë në detyrë, Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Takimi i fundit i nivelit të lartë të përfaqësimit ndërmjet dy vendeve u zhvillua më 7 shtator të vitit 2020.

Dialogu pritet të vazhdojë pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës në krye të cilës pritet të jetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Subjekti i tij politik ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili e vizitoi Kosovën dhe Serbinë ditë më parë, ka deklaruar se procesi i dialogut mund të përmbyllet shpejt nëse palët kanë përkushtim dhe vullnet për një gjë të tillë, brenda mandatit të qeverisë së re. Qëllimi i vazhdimit të dialogut është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, që synim final ka normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve. /rel/

Exit mobile version