Për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK, njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se është më e rëndësishme që të ketë marrëveshje mes subjekteve politike.
Në fillim të muajit shtator, në mungesë të kuorumit pati dështuar iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku do të kishte debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për idetë e “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Prej atëherë, partitë opozitare refuzuan që pos marrëveshjeve ndërkombëtare, të votojnë dokumente të tjera në Kuvend.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, nuk pret shumë nga debati i së mërkurës.
“Kundërshtimi i opozitës ka qenë më shumë i personalizuar me presidentin Thaçi dhe rolin e tij në bisedime. Kjo është punë që mund të diskutohet jashtë partive, nuk është e thënë të jetë pjesë e debatit në Kuvend. Së pari përgatitet një lloj rezolute dhe kërkohet një lloj pajtimi, unë nuk po e shoh që deri tash ka pasur shenja të zgjidhjes”, thotë për RTV Dukagjinin, Shkëlzen Maliqi – njohës i çështjeve politike.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës, të nxjerr një dokument që do të tregonte unitetin e një spektri sa më të gjer politik.
“Është shumë me rëndësi që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë apo dokument të përbashkët, i cili paraqet qëndrim më unik të spektrit politik, nëse jo i gjithë spektrit, së paku i spektrit të gjerë politik në mënyrë që Kosova të ndërtojë një qëndrim shtetëror, para se të vazhdojë në këtë fazë të dialogut”, deklaron Violeta Haxholli nga KDI.
Unitetin politik e konsideron si jetik edhe kryetari I Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk do të na presin më. /Telegrafi/