Kosova ka ngecur në rrugën e saj drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ky ishte një konkluzion i dalë nga një konferencë e titulluar “Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”, të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, si dhe ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, janë potencuar si dy sfidat kryesore që po e mbajnë Kosovën peng të ecë tutje, qoftë në proceset integruese apo atë të liberalizimit të vizave.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se dialogu me Serbinë dhe ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi janë çështje të cilat nuk kanë alternativë.
Sa i përket dialogut, Mustafa ka thënë se do të dëshironte që ky proces negociatash të përmbyllej me njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, që ndërlidhet pastaj me lëvizjen e qytetarëve, Mustafa ka theksuar se, në këtë rast, Kosova nuk është treguar parimore.
“Unë konsideroj se dialogu me Serbinë dhe ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi janë çështje të cilat nuk kanë alternativë. Nuk mund të gjejmë alternativë tjetër. Çështje tjetër është se si ne mund ta zhvillojmë dialogun…në qoftë se ne e vlerësojmë këtë dialog, unë konsideroj se Kosova ka përfituar nga dialogu”.
“Kemi arritur që t’i integrojmë serbët në proceset e ndryshme shtet-formuese edhe në implementimin e ligjit dhe të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Kemi arritur që të krijojmë një komunikim shumë të rregullt me komunat në veri të vendit dhe ato të zbatojnë buxhetin dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Mustafa.
Sipas kryeministrit Mustafa, Kosova po përpiqet t’i përmbushë të gjitha kriteret, që kanë të bëjnë në rend të parë me zhvillimin ekonomik, por edhe me forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në anën tjetër, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, pjesëmarrëse në këtë konferencë, ka theksuar se pa përmbushjen e dy kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian – ku bëjnë pjesë demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit – çështja e liberalizmit të vizave vështirë se mund të realizohet.
“Progresi në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës tash është në duart e kosovarëve, në duart e liderëve tuaj politik. Ky bllokim është një çështje e brendshme politike që duhet të zgjidhet dhe i apeloj partive politike që të shohin më shumë për interesat kombëtare dhe të mos ndiqen agjenda të ngushta politike”, ka theksuar ajo.
Problemi që ka krijuar paralizë politike është marrëveshja e Brukselit, konkretisht negociatat me Serbinë dhe marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, thekson publicisti Veton Surroi.
Këto marrëveshje, ka shtuar Surroi, janë të imponuara.
“Që të dyja këto, edhe marrëveshja e Brukselit që ka të bëjë me asociacionin edhe ajo e demarkacionit, për herë të parë janë imponuar pa konsensus. Kosova ka kaluar në shumë sfida negociatore, por gjithnjë është përpjekur të krijojë konsensus, si në Rambuje ashtu edhe në Vjenë. Prandaj, ka qenë e mundur shpallja e pavarësisë në atë kohë. Dhe tani, për herë të parë, është marrë një marrëveshje e cila është përpjekur t’i imponohet pjesës tjetër të popullatës”, ka theksuar Surroi.
Ndryshe, qëllimi i kësaj konference ishte nxjerrja në pah e sfidave me të cilat ballafaqohet Kosova, si drejt qeverisjes së mirë, ashtu dhe drejt procesit të integrimit Evropian. /REL/