Universitet i rezistencë, i zhvillimit, i shkencës, i dijes dhe themel i shtetit, ishin disa nga epitetet që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” mori në aktivitetin e sotëm “dialog mes brezash: Universiteti i Prishtinës në 5 dekada”, i organizuar për nder të 50 vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Në këtë aktivitet u prezantua hulumtimi i studentëve të vitit të dytë të departamentit tësociologjisë të Fakultetit Filozofik të UP-së, i cili solli rrëfimet e studentëve dhe profesorëve të dikurshëm të Universitetit të Prishtinës.
Bleona Kurteshi, solli përjetimet e ish-studentëve të UP-së rreth asaj se si ka qenë të jesh student i këtij universiteti.
“Në bazë të të dhënave që i kemi mbledhë nga respodentët, me qenë student dhe profesor i UP-së në vitet e ’70-ta ka nënkuptuar krenari, kënaqësi dhe prestigj. Një ish – student ka thënë se ka qenë ndjenjë e tillë si me qenë president”, tha Bleona.
Ndërsa, Fatma solli gjetjet e hulumtimit rreth sfidave të studimit në UP për pesë dekada.
“Gjatë viteve të ’70-ta studentët janë përballur me sfida të shumta, por ideali ka qenë i madh. Në atë kohë shumë pak kanë studiuar femrat, e më shumë meshkujt. Ata që kanë marrë pjesë në protesta, janë denoncuar. Madje, ka pas raste kur i kanë detyruar me e hangër librin, veç pse ka qenë i shkruar në shqip. ”, tha ajo.
Goneta Ademaj, tregoi për kushtet e studimit në UP në pesë dekada.
“Në vitet e ’70-ta konviktet, sipas respodentëve kanë qenë të mira. Gjithashtu, studentët e dalluar janë pajisur me kredi. Krahas tyre, studentët janë përballur me mungesën e librave si dhe ligjërimi ka qenë në gjuhën serbe”, tregoi Egzona.
Në fund të prezantimit, Ridona Berisha solli jetën studenore në UP, përgjatë këtyre pesë dekadave.
“Duke u bazuar në të dhënat e hulumtimit, jeta studentore në vitet e ’70-ta karakterizohet me aktivitete të shumta kulturore, me mbramje shoqërore të organizuara nga studentët dhe me hapësira të rezervuara për kohë të lirë. Sipas tyre, në atë kohë ka pasur shfaqje, teatër, balet. Ka pas shumë aktivitete, filma artistikë, mbrëmje letrare, mbrëmje shoqërore e madje edhe ballo”, tregoi Ridona.
Përveç hulumtimit, ish-studentët në UP, prof. dr. Marjan Dema, z. Shaip Emërllahu, z. Milot Cakaj, znj. Rrezarta Reka dhe znj. Vesa Turjaka sollën para publikut përjetimet e tyre në kohën kur ata ishin studentë të UP-së.
Ky aktivitet nis “Javën e Universitetit” e cila do të zgjas deri më 15 shkurt 2020, datë e cila shënon zyrtarisht themelimin e këtij universiteti./Telegrafi/