Site icon Telegrafi

Dialog edhe me Tiranën edhe me Beogradin, po së pari Kosova me vetveten

Kosova është shumë vonë me përgatitjet e saj për dialog me Beogradin (më saktë duhet thënë s’është kurrkund), por refuzimi i dialogut është akoma ma fatal

Debati për dialogun me Beogradin në Parlamentin e Kosovës nxori në pah shumë gjëra pozitive e negative për Kosovën. Edhe pse një pjesë e deputetëve, në mos shumica e tyre, janë të zgjedhur me vota të vjedhura, kualiteti i këtij Parlamenti përkundër mungesës së Driton Talit, Naim Rrustemit, Besa Gaxherrit, Gani Gecit etj, tejkalon atë paraprak.

Diskutimet përgjithësisht ishin të nivelit, por nuk munguan as shkarjet. Diskutimi i Sabri Hamitit ishte një diskutim i pjekur dhe i përgjegjshëm i denjë për një Parlament serioz. Padyshim diskutimi më i qëndrueshëm ishte ai i Fatmir Limajt. Diskutimi i Albin Kurtit përmbante me saktësi matematikore objektivin dhe strategjinë e Beogradit që synon ta arrijë përmes këtij dialogu. Albini e tha edhe një të vërtetë të madhe kur tha se Prishtinës i duhet dialogu me Tiranën. Në fakt, Prishtina jo vetëm që ka probleme me Beogradin, por ka edhe me Tiranën e më së shumti me vetveten. Kjo nuk është vetëm metaforë.

Dialogu me Tiranën

Dialogu me Tiranën ka pasë mundësi të zhvillohet edhe në kohën e UNMIK-ut e aq më tepër pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Politikanët e Tiranës e të Prishtinës kanë bërë poza patriotike të përbashkëta në Tiranë e Prishtinë, por dialogu konstruktiv dhe frytdhënës integrues ka munguar. Këtë askush nuk e ka penguar pos budallallëkut tonë. Edhe pse si nga Kosova, si nga Shqipëria kërkohen standarde evropiane në rrugën për BE, bashkëpunimi i Tiranës dhe Prishtinës lë shumë për të dëshiruar. Më pozitivja që mund të thuhet është se Tirana si në kohën e socialistëve po ashtu në kohën e demokratëve emëroi ambasadorët e vet më të mirë të mundshëm në Prishtinë. Por kjo nuk mjaftoi që patatet apo rrushi i Kosovës të shitet në Shqipëri apo që hartohen planprograme të përbashkëta shkollore apo edhe të shpallën tenderë të përbashkët për tekste shkollore, të krijohen ambasada të përbashkëta etj, gjëra këto me interes të të dyja palëve. Është e qartë se më shumë bëhen deklarata patriotike se sa punë e veprime patriotike nëse përjashtohet këtu ndërtimi i autostradës. Prishtinës vërtetë i duhet dialog i përnjëmendtë me Tiranën në rrugën e saj për në BE. E ky dialog i duhet edhe Tiranës.
Por dialogu me Tiranën nuk mjafton. Prishtinës i duhet të dialogojë edhe me Maqedoninë edhe me Malin e Zi, por sidomos me Serbinë. Këtë në mënyrë elokuente e elaboroi Fatmir Limaj.

Por a jemi të gatshëm të dialogojmë me Beogradin?

Jo. Këtë më së miri e dëshmojnë deklaratat e kryeministrit dhe disa politikanëve tjerë që thonë se në këtë dialog po shkojmë si dy shtete. Ky nuk është dialog mes dy shtetesh sepse Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet. Njeh një lloj autoriteti politik të Prishtinës, por jo në cilësinë e shtetit. Ndërsa Kosova e njeh Serbinë si shtet. S’ka se si të mos e njoh Serbinë si shtet kur ajo njihet nga tërë bota që nga 13 korriku i vitit 1878. Për më tepër që Kosova, pa vullnetin e saj, ishte pjesë e shtetit serb që nga 1912 e deri më 1999 me përjashtim të kohës së dy luftërave botërore kur Kosova ishte pjesë e Shqipërisë. Pra këto bisedime në formë do të jenë bisedime të një shteti (Serbisë) me një autoritet politik që pjesërisht (nga afro 1/3 e kombeve të botës) njihet si shtet (Kosova).

Por a do të thotë që Kosova përderisa të mos njihet si shtet të mos dialogojë me Serbinë?!

Jo. Ky është gabimi i qasjes së Albin Kurtit. Kosova nuk e ka luksin të injorojë bashkësinë ndërkombëtare jo vetëm për faktin se është e vogël dy milionëshe, por edhe sikur të ishte 200 milionëshe, ajo nuk është Iran e as Serbi që kanë tradita të forta shtetërore dhe i bëjnë ballë presionit ndërkombëtar. Shkuarja ndesh me bashkësinë ndërkombëtare do të ishte fatale për jetëgjatësinë e shtetit të Kosovës. Prandaj këtu Fatmir Limaj është më në terezi se Albin Kurti. Kosova është shumë vonë me përgatitjet e saj për dialog me Beogradin (më saktë duhet thënë s’është kurrkund), por refuzimi i dialogut është akoma ma fatal.

Me çka mund të matet suksesi dhe me çka dështimi i këtyre bisedimeve?

Sukses për Kosovën kish me qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duke e përfshirë këtu edhe njohjen e pavarësisë nga Beogradi në fund të këtyre bisedimeve. Dështim për Kosovën kishte me qenë ndarja e Kosovës në dy entitete politike, përkatësisht shndërrimi i saj në një federatë me republikë serbe e asaj shqiptare, qoftë ky si kompromis që do të sillte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Në paraqitjen e tij, kryeministri nuk e përjashtoi këtë mundësi. Ai vuri vijat e kuqe tek paprekshmëria e kufijve, integriteti territorial e sovraniteti, por jo edhe te uniciteti i shtetit të Kosovës. Këtë të fundit duhet ta përmbajë me doemos rezoluta eventuale e Parlamentit të Kosovës.

Kështu si është puna tani gjasat janë shumë të mëdha që Kosova më parë të dështojë se sa të arrijë sukses. Suksesi nuk varet vetëm nga ekipi negociues po nga puna e institucioneve të Kosovës në teren sado që edhe tek ekipi puna çalon. Serbia ka caktuar për shef ekipi një zyrtar të rangut të shtatë, drejtor drejtorie që vjen në rang pas presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrit, zv/ministrit. Kurse Kosova ka caktuar një zyrtar 3 rangje më lart – zv/kryeministre. Që këtu fillon pabarazia në këto bisedime, e shkaktuar nga vet vendimi politik i kryeministrit e jo nga ndonjë arsye objektive.

Përparësia e Kosovës në bisedime – Behgjet Pacolli

Kosova në këto bisedime ka një përparësi ndoshta të vetme – Presidentin Pacolli. Gatishmëria dhe thjeshtësia e tij për të dialoguar është përparësi e madhe. Ai ka edhe një përparësi që opinioni në Kosovë ia sheh për mëkat – ka biseduar me Millosheviqin. Njeriu që ka biseduar me Millosheviqin e ka shumë më të kollajshme të bisedojë me Boris Tadiqin. Ç’është e vërteta orvatja e Pacollit me Millosheviqin edhe pse konsiderohet e dështuar ka luajtur rrol pozitiv, sepse u mundësoi amerikanëve që t’i takonin Rugovën me Millosheviqin. Qëllimi amerikan ishte që Beogradin e Prishtinën t’i bënin palë bisedimesh për agjendat e mëvonshme. Rroli i Pacollit ka konsistuar në bartjen e mesazhit të Boris Jelcinit për Millosheviqin. Ky ishte një rrol pozitiv. Por afiniteti i Presidentit Pacolli dhe biografia e tij nuk janë aspak garancë për suksesin e Prishtinës në dialog. Gjendja dhe aktivitetet në teren janë vendimtarët në këtë drejtim.

Çfarë në fakt do të duhej të ishin veprimet e terrenit?

Ja, ta zëmë, kur në agjendë të futet çështja e targave të automjeteve, nëse Beogradi tregohet i ngurtë për lëshime në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës do të duhet të jetë e gatshme ta ndalojë qarkullimin e automjeteve të Serbisë për të imponuar reciprocitet. Kështu me radhë për të gjitha çështjet dhe nëse puna në teren vijon me sukses Beogradit i imponohet agjenda e Prishtinës.

Prishtina nuk mund të imponojë agjendë të vet nëse atë nuk e ka

Edhe sikur ta ketë agjendën e vet Qeveria e Kosovës atë nuk mund ta imponojë në dialogun me Beogradin nëse nuk këshillohet me shtetet aleate dhe nuk bashkërendon me opozitën dhe me shoqërinë civile. E bashkërendimi nuk bëhet pa dialog të brendshëm. Prandaj Prishtinës para se të dialogojë me Tiranën e Beogradin i duhet dialogu me vetveten. Në këtë drejtim diskutimi i djeshëm në Parlamentin e Kosovës ishte frytdhënës. Refuzimi i votimit të rezolutave të propozuara dhe kërkimi një rezolute të re i ngriti pazarin Kosovës në prag të dialogut të pashmangshëm me Beogradin. U bë hapi i pare shumë i vonuar, por i domosdoshëm – dialogu me vetveten.
 

Exit mobile version