Telegrafi

Diabeti i tipit 2 kurohet në sallën e operacionit

Ideja mund t’ju duket e çuditshme, por në të vërtetë për të mbajtur nën kontroll diabetin e tipit 2, atë që lidhet me stilin e jetës dhe shpeshherë me obezitetin, zgjidhja më e mirë qëndron te kirurgjia.

Këtë e ka konfirmuar një studim i publikuar në revistën “The Lancet” nga një ekip i përbashkët i hulumtuesve nga Universiteti Katolik, i poliklinikës “Gemelli” në Romë dhe i Kolegjit Mbretëror të Londrës.

Konkluzionet u lënë shumë pak hapësirë interpretimeve: teknika rezulton më efikase sesa terapia mjekësore konvencionale në kontrollin afatgjatë të diabetit.

Çfarë është kirurgjia bariatrike?
Në rastet e obezitetit patologjik, ndërhyrja kirurgjikale, përmes kirurgjisë bariatrike (ose të obezitetit) mund të jetë një ndihmë e madhe për të kontrolluar më mirë diabetin përveçse për të jetuar më gjatë dhe për të shijuar një kualitet më të mirë të jetës. Ndër teknikat më të përdorura të kirurgjisë bariatrike është “fasha” gastrike që synon reduktimin e vëllimit të traktit digjestiv të stomakut, për të dhënë kështu ndjenjën e ngopjes, dhe bypass-in jejunoileal, përmes të cilit zvogëlohet aftësia e absorbimit nga ana e zorrëve.

Studime të ndryshme kanë evidentuar se me këtë qasje është e mundur të reduktohen më shumë se 50% mundësitë e vdekjes për çfarëdo lloj shkaku, në krahasim me ata që nuk i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje.

Kurimi i diabetit
Studime klinike kanë demonstruar se rezultatet e kirurgjisë janë më superiore sesa ato të terapisë mjekësore të paktën afatshkurtra (1-2 vjet), shkruan Shqip. Studimi i ri ka ndjekur një grup prej 60 pacientësh me diabet, të moshave 30-60 vjeç dhe me indeks të masës trupore më të madhe se 35 kg.

Studimi
Përmes një sistemi të kompjeturizuar të randomizuar, pacientët iu nënshtruan trajtimit mjekësor konvencional (20 pacientë ndoqën një dietë, bënë ushtrime fizike dhe insulinë) ose kirurgjinë gastrointestinale përmes dy llojeve të ndërhyrjeve zakonisht të përdorshëm: bypass-i gastrit (20 pacientë) devijimit bilio-pankreatik (20 pacientë).

Diabetikët që iu nënshtruan kësaj ndërhyrjeje kanë nivele më të ulëta të glikemisë, ndërsa kanë pasur nevojë për një numër më të vogël ilaçesh antidiabetikë dhe kardiovaskularë për gjatë gjithë kohës që zgjati studimi. /Telegrafi/