Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, thotë se nuk i pëlqejnë skuadrat që zhvillojnë lojë defensive dhe se atij i pëlqen futbolli ofensiv.
Giallorossët do të luajnë kundër Liverpoolit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe trajneri ka paralajmëruar se do ta sulmojë kundërshtarin.
“Kur isha lojtar, nuk dëshiroja të bëhesha trajner, sepse i shihja ish-trajnerët e mi dhe thosha se nuk doja të isha si ata. Në fund, nisi të më pëlqejë, në një aspekt pozitiv, ndërsa tash jam vërtet i lumtur”.
“Unë dua një skuadër agresive, e cila nuk qëndron prapa dhe e pret kundërshtarin që të marrë iniciativën. Nuk më pëlqejnë skuadrat që presin. Dua që ekipi im të jetë pro-aktiv dhe agresiv”.
“Kam mësuar nga trajnerët e mi të mëparshëm se çfarë duhet të bëj dhe farë nuk duhet të bëj”.
“Trajneri më i mirë me të cilin kam punuar në aspektin e futbollit sulmues, ka qenë Zdenek Zeman. Kam mësuar shumë nga ai dhe gjatë kohës më ka lënë me një filozofi të veçantë”.
“Jam shumë krenar që jam trajner i Romës, sepse, nuk do ta mohoj, drejtimi i këtij klubi ka qenë një ëndërr për mua. E kam realizuar atë dhe tash duhet ta dëshmoj se e kam merituar këtë”, ka deklaruar Di Francesco për UEFA.com.
Ndeshja e parë gjysmëfinale, ndërmjet Liverpoolit dhe Romës, zhvillohet më 24 prill (e martë) në Anfield. /Telegrafi/