Eusebio Di Francesco është shprehur i pakënaqur me mënyrën e qasjes së skuadrës së tij në barazimin (3-3) ndaj Atalantas.
Giallorossët e nisën mirë sfidën me një gol të Javier Pastores që në minutën e dytë, mirëpo më pas i pranuan tre gola në pjesën e parë.
Sidoqoftë, në fraksionin e dytë ata u kthyen për t’i shënuar edhe dy gola duke nxjerrë një barazim.
Nga ana tjetër, Atalanta i kishte pushuar shumë lojtarë duke përfshirë edhe kapitenin Papu Gomez, prandaj Roma pritej ta kontrollonte këtë sfidë.
“Duhet lavdëruar Atalanta që ka formë mbresëlënëse fizike në krahasim me neve dhe shumë skuadra tjera. Në gjysmën e parë, ata kishin më shumë karburant në rezervuarin e tyre, nga ana tjetër ne bënim gjithçka gabim”
“Do t’i kisha ndërruar shtatë ose tetë lojtarë që në pjesën e parë po të mundja, mirëpo u kthyem”.
“U nervozova sërish në 10 minutat e fundit, sepse ishim tërhequr dhe nuk luanim si skuadër, duke e lejuar Atalantan të krijonte shanse për ta fituar ndeshjen”, ka thënë trajneri i Romës. /Telegrafi/