Në emisionin “#Hashtag” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini po diskutohet për yjet e estradës dhe personat që qëndrojnë mbrapa tyre.
Këngëtari Ermal Fejzullahu për herë të parë është paraqitur në media pas premtimit se ai dhe familja e tij do të ndajnë 100 mijë euro për të prekurit nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri.
Fejzullahu ka thënë se gjatë kohës kur ka ndodhur tërmeti ka qenë në SHBA dhe është prekur shumë nga pamjet e ndryshme që janë shpërndarë përmes mjeteve të informimit, përcjell Telegrafi.
Ai ka thënë se ka vendosur të ndajë një shumë të tillë edhe për të motivuar të tjerët.
“Ne e dimë se secili këngëtar shqiptar ka mundësi të blejë një veturë shumë të shtrenjtë apo sot secilin këngëtar e shohim me nga një orë shumë të shtrenjtë, pse të mos bëjmë ndonjë vepër për t’i motivuar të tjerët”.
Këngëtari thotë se pamjet nga Shqipëria i kanë kujtuar luftën e Kosovës prandaj është prekur shumë.
Ermali thotë se vizitën e parë e ka bërë në familjen Abazi në Gjilan që kanë humbur dy djemtë nga tërmeti derisa po punonin në Durrës.
Ai thotë se shtëpia e parë do të ndërtohet te ajo familje pasi sipas tij “gjendja duhet të jetë mjaft e vështirë ekonomike për të shkuar nga Gjilani në Durrës me punua”./Telegrafi/