Telegrafi

Dhurohen uniforma, Urdhri e Flamuri i dëshmorit Jashari

Në ceremoninë e dhurimit ishin të pranishëm i vëllai i dëshmorit legjendar nga Orizara e Kumanovës, Xhemaili, si dhe gjenerali i TMK-së, Haxhi Shala, bashkëluftëtar i komandant Kumanovës.

Xhemail Jashari shprehu kënaqësinë që Urdhri "Hero i Kosovës" dhënë të vëllait të tij për trimërinë e treguar në frontin e luftës nga ana e presidentit Sejdiu, do të bëhet pjesë e muzeut të parë të shqiptarëve në Shkup.

Ai bëri të ditur se me këto eksponate të dorëzuara sot nuk do të përfundojë dhurimi në muze, sepse ai ka edhe shumë dokumente të tjera që flasin për aktivitetin patriotik, jo vetëm të Komandant Kumanovës, por edhe të familjes Jashari nga Orizarja e Kumanovës që shekuj të tërë ka kontribuar në çështjen shqiptare.

"Një pjesë të eksponateve që i kisha fshehur gjatë konfliktit të vitit 2001 i shkatërroi një predhë, por përsëri kanë mbetur edhe disa të tjera", tha mes tjerash Xhemail Jashari.

Uniforma e dhuruar në muze është mbajtur deri në momentet e fundit të jetës, në betejën e zhvilluar në Luzhnicë, atje ku komandant Kumanova dha jetën më 26 gusht të vitit 1998. /ina/