Site icon Telegrafi

Dhurata Hoxha flet për Gjykatën Speciale dhe marrëveshjet ndërkombëtare për ekstradime

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në një intervistë për “Indekonlinë”, ka folur për punët e kësaj ministrie në vitin 2017, sukseset dhe dështimet e MD-së në vitin që lamë pas.

Ministrja Hoxha flet edhe për rastin e Astrit Deharit, arratisjes së të dënuarve të rastit “Medicus”, ekstradimin e Xhabir Zharkut. Ministrja tregon  se viti 2017 do të nis me nënshkrimin e disa  marrëveshjeve për ekstradim me disa shtete.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Hoxha ka thënë se përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje është tejet e limituar, andaj bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë në këtë drejtim do të jetë në pajtim me këtë përgjegjësi.

“Pavarësia e gjyqësorit është thelbësor për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Ministria e Drejtësisë ka iniciuar formimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si kategori e pavarur kushtetuese, që deri më tani ka qenë pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Qeveria ka siguruar, po ashtu, mjete shtesë për gjyqtarë dhe prokurorë për ta mbështetur edhe më tej pavarësinë e gjyqësorit. Ministria e Drejtësisë është e obliguar ta respektoj pavarësinë e gjyqësorit, sistemin prokurorial si dhe mbikëqyrjen e tyre nëpërmjet instrumenteve të brendshme të këtyre institucioneve, pa ndikim nga jashtë”, u shpreh ministrja për Indeksonline.

Duke folur për shërbimin korrektues, Hoxha tha se SHKK dhe Shërbimi Sprovues është duke zbatuar praktikat më të mira në këtë fushë.

“Lëshimet e mundshme në zinxhirin e funksionimit dhe komandimit janë duke u evidentuar dhe duke u përmirësuar. Jeni në dijeni për veprimet ndaj shkeljeve të supozuara, duke i mënjanuar të gjithë ata që janë në procedurë gjyqësore, kemi rezultate edhe sa i takon luftimit të korrupsionit brenda institucioneve korrektuese”, tha ministrja.

Duke iu referuar rastit të Astrit Deharit, që hapi çështjen e sigurisë në burgje ministrja e Drejtësisë tha se siguria në burgje, krahasuar me regjionin është pakrahasueshëm më e mirë.

“…Sigurisht, ka vend për përmirësim por percepcioni i krijuar, është i ndikuar nga politika”, tha ajo.

Ministrja paralajmëroi se me disa shtete do të fillojnë së zbatuari marrëveshjet e ekstradimit.

“Edhe rasti ‘Xhabir Zharku’ edhe rasti i të dënuarve në rastin ‘Medicus’ janë në proces, ato që i ofron bashkëpunimi ndërkombëtar për momentin nuk janë duke i dhënë frytet e pritura nga ne. Ministria e Drejtësisë ka zbatuar të gjitha kërkesat e organeve tona gjyqësore lidhur me këto raste dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat që këto kërkesa të realizohen”.

Hoxha tha se këtë vit do të fokusohen në rishikimin gjithëpërfshirës i sistemit të drejtësisë, fuqizimi i zbatimit të ligjit dhe ngritja e performancës së çdo njësie të Ministrisë së Drejtësisë. /Indeksonline/

 

 

 

Exit mobile version