Mercedes vazhdon fushatën e saj duke njoftuar automjetin e ri konceptual Vision EQXX, i përshkruar si automjeti më efikas elektrik që ata kanë prodhuar ndonjëherë.
Është një veturë elektrike që ka një grilë të përparme që i ngjan konceptit të mëparshëm të Vision EQ Silver Arrow, shkruan Autoblog.
Kompania gjermane e përshkroi Vision EQXX si “një hap tjetër emocionues në zhvillimin e automjeteve elektrike”, pasi modeli do të ketë gamë dhe efikasitet “spektakolar”.
Në këtë drejtim, u la të kuptohet se makina do të ketë një distancë prej 621 miljesh (1000 km).
Mercedes pohon gjithashtu se automjeti do të ketë koeficientin më të ulët të rezistencës së ajrit nga të gjitha makinat në treg.
Megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e historisë pasi EQXX u zhvillua me ndihmën e grupit të “High Performance Powertrain” i cili është fokusuar kryesisht në zhvillimin e teknologjisë dhe grupeve të fuqisë për Formula 1. Kjo sugjeron që koncepti i ri do të ketë fuqi dhe qëndrueshmëri të mjaftueshme.
Më shumë informacion vijon më 3 janar 2022. /Telegrafi/