Site icon Telegrafi

Dhurata e kompanisë Fortesa për Kosovën, afër përfundimit

 Vepra artistike “Adem Jashari”, dhuratë nga kompania e mirënjohur Kosovare “Fortesa Home” për qytetarët e Kosovës, është në përfundim e sipër. Sipas kompanisë Fortesa, vepra artistike do të përfundohet brenda muajit, para datës zyrtare të inaugurimit, që pritet të jetë 28 nëntori 2014, dita e pavarësisë së Shqipërisë, njëherit edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, emrin e të cilit e mban edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

“Vepra artistike është disejnuar dhe konceptuar nga kompania vendore Paper Communications deri sa realizimi është bërë nga kompania Fortesa. Projekti është dhuratë nga kompania jonë për Kosovën, me qëllim të nderimit të luftës shumë vjeçare çlirimtare dhe të prijësit legjendar të kësaj lufte, Adem Jasharit”, deklaron Granit Sahiti, përfaqësues i kompanisë “Fortesa Home”.

“Vepra është e punuar me mozaik xhami në kombinim me copëza ari te bardhë , nga prodhuesi më i famshëm botëror Bisazza. Vepra në tërësi si dhe mënyra e punimit mund të vlerësohet si shumë e veçantë dhe konkurruese me vepra të ngjashme në gjithë botën për nga kualiteti dhe koncepti.” Kjo vepër e ka formën e plisit, në njërën anë gjendet krahu i shqiponjës dhe në anën tjetër portreti i komandantit legjendar Adem Jashari , tregon Graniti në vazhdim.

“Me këtë edhe njëherë përjetësohet karakteri që mishëron guximin, nderin dhe vlerën. Kjo vepër do të shërbejë si testament për veprën dhe kontributin e pashoq të komandantit legjendar Adem Jashari si dhe të gjithë të tjerëve që kanë luftuar për pavarësinë e vendit tonë. Për ne ka qenë nderë dhe privilegj të jemi të përfshirë në një projekt kaq te madh, dhe shpresojmë qe kemi arritur qe sadopak ta prezantojmë denjësisht figurën e larte te komandantit legjendar Adem Jashari, deklaron Granit Sahiti nga kompania Fortesa Home, kompania e cila ka dhuruar këtë vepër artistike.

Vepra artistike “Adem Jashari” do të inaugurohet më 28 nëntor 2014 në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës “Adem Jashari” dhe familja Jashari. /Telegrafi/

Exit mobile version