Telegrafi

Dhunimi i 11 vjeçares në Prishtinë, ngritet aktakuzë ndaj tetë personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, sot ka ngritur aktakuzë ndaj tetë (8) personave (madhorë), të përfshirë në rastin e dhunimit të 11 vjeçares që ndodhi në qershor të këtij viti në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.Rr., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”,  i pandehuri D.Rr., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi” dhe “Trafikimi me njerëz”. Të pandehurit G.S. dhe B.S., ngarkohen për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, i pandehuri M.S., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, i pandehuri F.S., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”,  dhe “Trafikimi me njerëz”, i pandehuri M.R., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” si dhe i pandehuri E.S., ngarkohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhunimi”.

Ndryshe në lidhje me dhunimin e 11 vjeçares si fillim ishte raportuar rasti i ndodhur në gusht , e më pas ishte zbuluar se e njëjta ishte dhunuar edhe më parë, saktësisht në muajin qershor të vitit 2022.

Për rastin e ndodhur në muajin gusht, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (të moshës madhore), si dhe ndaj tre të miturve.

Ndaj dy personave të moshës madhore seanca e shqyrtimit fillestar mbahet më 22 dhjetor. /Telegrafi/