Telegrafi

Dhunë në hendboll: Lojtarët e Trepçës sulmohen në Vushtrri nga kundërshtarët dhe tifozët vendas

Është ndërprerë ndeshja e hendbollit mes Vushtrrisë dhe Trepçës, ku pas një tollovi mes lojtarëve kanë hyrë në terren edhe tifozët vendas dhe kanë sulmuar lojtarët mitrovicas.

Përleshja nisi teksa u ndal një faull për Vushtrrinë në minutat e para të pjesës së dytë.

Më pas, hendbollisti i Trepçës që shkaktoi faullin pretendoi se u godit nga hendbollisti vushtrrias dhe kërkoi ndihmën e mjekëve.

Por teksa pritej ndërhyrja e mjekëve, nga ana tjetër e parketit vrapoi portieri i Vushtrrisë që nisi të sulmonte me grushte.

Sikur të mos mjaftonte, sulmit të tij fizik iu bashkangjiten edhe bashkëlojtarët e tij. Më pas, edhe tifozët hynë në parket dhe shpërndanë grushte në drejtim të hendbollistëve mitrovicas.

Hendbollistët e Trepçës janë larguar nga parketi, ndërsa në drejtim të tyre non-stop ka pasur hedhje dhe sulme të vazhdueshme.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 34 e 42 sekonda. Trepça po udhëhiqte 21:17.  /Telegrafi/