Është ndërprerë ndeshja e hendbollit mes Vushtrrisë dhe Trepçës, ku pas një tollovi mes lojtarëve kanë hyrë në terren edhe tifozët vendas dhe kanë sulmuar lojtarët mitrovicas.
Përleshja nisi teksa u ndal një faull për Vushtrrinë në minutat e para të pjesës së dytë.
Më pas, hendbollisti i Trepçës që shkaktoi faullin pretendoi se u godit nga hendbollisti vushtrrias dhe kërkoi ndihmën e mjekëve.
Por teksa pritej ndërhyrja e mjekëve, nga ana tjetër e parketit vrapoi portieri i Vushtrrisë që nisi të sulmonte me grushte.
Sikur të mos mjaftonte, sulmit të tij fizik iu bashkangjiten edhe bashkëlojtarët e tij. Më pas, edhe tifozët hynë në parket dhe shpërndanë grushte në drejtim të hendbollistëve mitrovicas.
Hendbollistët e Trepçës janë larguar nga parketi, ndërsa në drejtim të tyre non-stop ka pasur hedhje dhe sulme të vazhdueshme.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 34 e 42 sekonda. Trepça po udhëhiqte 21:17. /Telegrafi/