Site icon Telegrafi

Dhunë elektorale apo mediatike?

Kur një ditë pashë që një poster i grisur elektoral në një shtyllë gjysmë të rrëzuar po transmetohej në televizion, më erdhi për të qeshur. Më mirë do të ishte sikur lajm të bëhej shtylla që po rrezikonte të binte se sa posteri gjysmë i grisur.

Pas kësaj, dikush nga ata të oborreve të partive brohoriti dhe protestoi me të madhe, se fushata po rrezikohet, por më pas premtoi se asnjë votë nuk do të mund të vidhet. Së pari, një njeri normal nuk mund ta quaj rrezik për zgjedhjet një fletushkë të grisur dhe së dyti, thirrje të tilla ngjajnë si thirrje ndaj armikut se mund të na zaptojë pronën tonë (votën tonë).

Por, nëse partitë politike kanë këtë angazhimin e tyre kryesor, për mua më shumë shqetësuese është një media që transmeton gjithçka që sjellin dhe vjellin partitë politike nga zyrat e tyre elektorale. A përbën lajm grisja e një fletushke dhe kujt i intereson kjo? A përbën lajmi rrahja e të dehurve dhe vetëm se është fushatë zgjedhjesh duhet të zënë vend në faqet tona informative?

Për të qenë më konkret, në të paktën 80% të konflikteve të ndodhura gjatë këtyre ditëve nuk kanë pasur motiv fushate, edhe pse janë transmetuar si të tilla nëpër media. Të paktën, këtë ka sqaruar policia dhe nëse gazetarët, janë njëkohësisht edhe hetues, kjo është çështje tjetër dhe unë tërhiqem këtu. Mania për të pasur sa më shumë lajme të “rënda” dhe për t’i transmetuar ato në minutën e fundit, është bërë pothuajse snobizëm për gazetarë e media, aq më tepër që kjo është edhe periudha e mos “vrasjes” së mendjes për të prodhuar lajme.

Por nga ana tjetër, kjo i ka shkaktuar dëm publikut të thjeshtë e militant, se situata është vërtetë e rëndë. Në këtë rast, media nuk ka kontribuar në informimin e publikut, por në krijimin e gjendjes së dhunës dhe rrezikimit të zgjedhjeve. Nëse media nuk do të skualifikojë cili lajm është i duhuri për publikun, kush mund ta bëjë tjetër këtë? Nëse media nuk e merr përsipër edukimin e publikut, kush do ta bëjë këtë? Nëse media nuk kontribuon për një Shqipëri më të mirë, kush do ta bëjë këtë?

Këto janë pyetje që të gjithë njerëzit e medies duhet t’i shtrojnë vetes, sa herë kur shtypin butonat e kompjuterit për të prodhuar një lajm. Tek e fundit, mijëra veshë e sy presin për të marrë lajmin e fundit dhe nëse një gazetar transmeton çdo herë kronika të zeza, mijëra sy dhe veshë do të bombardohen me këtë.

Të gjithë e kujtojmë një shaka të një televizioni privat gjeorgjian më 14 mars të vitit të shkuar kur transmetoi se forcat ruse po mësynin në vend. Pas kësaj, qindra njerëz dolën rrugëve, paçka se lajmi ishte vetëm një sajesë dhe një shaka gazetarësh. Mesazhi u përçua dhe krijoi efekt të menjëhershëm. Por nëse kjo shaka u konfirmua si e tillë më vonë, atëherë kush do t’i marrë përsipër në mos qindra, dhjetëra “shaka” të qëllimshme të medias shqiptare?

Exit mobile version