Telegrafi

Dhuna seksuale, aksion para Prokurorisë – kërkohet shkarkimi i Kujtim Munishit dhe Ruhan Salihut

Organizatorët e protestave “Mbrojtje për vajzat dhe gratë” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Këshillit Prokurorial, duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi dhe prokurorit Ruhan Salihu. 

Anita Mjeku, njëra ndër organizatoret tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë është bashkëfajtore në përdhunimin e të miturës 11 vjeçare në Prishtinë në muajin gusht, pasi rasti kishte ndodhur edhe në qershor dhe ishte në duart e prokurorit Ruhan Salihu, që e kishte neglizhuar rastin.

Ajo tha se prokurori Salihu është i njohur për neglizhimin e rasteve të krimeve seksuale kur në fjalë janë grupet e paprivilegjuara shoqërore.

Mjeku më tej shtoi se Ruhan Salihu ishte prokuror edhe në rastin e Kujtim Veselit, 11 vjeçarit që u përdhunua e më pas u vra, raporton Telegrafi.

 

“Prokuroi Salihu ende vazhdon të punojë i pa shqetësuar”, tha ajo, duke shtuar se dështimi i Prokurorisë Themelore vë në pikëpyetje besueshmërinë.

Mjeku kërkoi më tej që trajtimi i rastit të 11 vjeçares t’i hiqet nga kompetenca Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe t’i kalojë asaj Speciale.

Në këtë aksion simbolik u kërkua dorëheqja edhe e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

“Ne nuk mund të presim edhe një lëshim tjetër të kësaj Prokurorie”, tha Mjeku, duke kërkuar shkarkimin edhe të kryeprokurorit Munishi. /Telegrafi/