Dhuna fizike dhe psikike në shkolla është shndërruar në një fenomen shqetësues për shoqërinë dhe institucionet në përgjithësi.
Rrjetet sociale kanë ndikuar që kjo dhunë të mos mbetët larg opinionit publik, por të publikohet dhe të ndërmerren masa për ushtruesit e dhunës.
Rasti i fundit mjaft shqetësues është dhuna e ushtruar në 16-vjeçare nga xhaxhai i saj në ambientet e shkollës në Rahovec.
Për këtë rast dhe shumë raste të tjera, Policia thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.
Në statistikat e Policisë së Kosovës vetëm gjatë vitit 2015 thuhet se kanë ndodhur 567 raste të dhunës nëpër shkolla ose në afërsi të tyre. Nga këto statistika nuk figuron asnjë vrasje gjatë këtij viti, kurse 120 raste janë paraqitur me lëndime të lehta trupore, tri raste për tentim-vetëvrasje, dhe 54 raste për ngacmim seksual.
Sociologu Besim Gollopeni thotë se kohëve të fundit përveç dhunës fizike, vërehet edhe rritje e dhunës verbale.
Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës – për t’i parandaluar rastet e dhunës – ka miratuar një rregullore për Protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar. /Tribuna Channel/