Dhuna në familje vazhdon të jetë një temë e diskutueshme në Kosovë. Shumë prej viktimave përjetojnë çdo ditë dhunë por nuk mund ta denoncojnë atë.
Për këtë temë, në emisionin “Historia ime, motiv për ty” nga Elvana Shala kanë folur Drejtoresha e UN WOMEN në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi dhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Drejtoresha e UN WOMEN në Kosovë Vlora Tuzi Nushi thotë se dhuna brenda familjes nuk mund të konsiderohet më çështje private.
Ajo thotë se edhe gratë me aftësi të kufizuara janë duke pësuar një dhunë brenda familjes për vet faktin se ato po mbahen të izoluara.
Tuzi Nushi thotë se për fat të keq gruaja në Kosovës që nga librat e klasave të para portretizohet si shërbyese në shtëpi e asnjëherë si inxhiniere, shkencëtare apo profile të tjera.
“Duhet të bëhet një rishikim i kurrikulës mësimore…Duhet të punojmë me djemtë dhe vajzat që nga çerdhet në mënyrë që të kenë qasje të barabartë kudo ku do të punojnë në të ardhmen”, deklaroi ajo, përcjell Telegrafi.
Drejtoresha e UN WOMEN në Kosovë thotë se institucionet e Kosovës duhet të vendosin edhe masa afirmative por edhe sanksione për institucionet publike dhe private në punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
“Nëse nuk ka masa sigurisht se bizneset nuk do të stimuloheshin të bëjnë punësime të personave me aftësi të kufizuar”, deklaroi Vlora Tuzi Nushi.
Nga ana tjetër Avokati i Popullit, Naim Qelaj thotë se raportimi i dhunës në familje është konsideruar temë tabu në shoqërinë tonë.
“Tash secili rast trajtohet në mënyrë institucionale dhe është bërë mjaft shumë në ngritjen e vetëdijes shoqërore e sidomos te vet viktimat, pasi që e kanë kuptuar se rastet duhet të raportohen e të mos mbesin brenda mureve”, thotë Naim Qelaj./Telegrafi/