Policia trajton mesatarisht 11 denoncime në ditë për dhunë në familje në të gjithë vendin, ndërsa në një vit plotëson mbi 2.100 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë konstatohet një rritje me 5% e numrit total të denoncimeve.
“E dini ç’është të vendosësh nga një polic për të zbatuar vendimin e gjykatës? I thonë 2.100 forca policore, gjë që nuk është e mundur. Edhe nëse do kishim mundësi, në momentin që gjykata i lë në një banesë të dhunuarin dhe dhunuesin askush nuk e merr vesh se çfarë ndodh, sepse kanë ndodhur krime të rënda në shtratin bashkëshortor”, deklaron Silvana Alimadhi, shefe e sektorit kundër dhunës në familje.
Por cilat janë shkaqet kryesore të dhunës.
“Pamundësitë financiare, kushtet e vështira sociale dhe ekonomike kanë bërë që të kemi një agresivitet të shtuar në familjet shqiptare. Sepse individi projekton të gjitha pamundësitë e tij për të qenë i realizuar në formë dhune ndaj personave më të pambrojtur brenda familjes”, thotë Valbona Treska, kryetare e Shoqatës së Psikologëve Ligjorë.
Ndërkohë, zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebra ka një propozim.
“Ai urdhër mbrojtjeje i ngelur diku në gjykatë tregon se problemi ekziston dhe ne kemi mundësi që t’i rregullojmë këto gjëra. Ndoshta me një komision i përbashkët që mund të funksionojë më mirë. Gjithashtu ka mënyra plot dhe shpresoj se këto do të adresohen në një kohë sa më të shpejtë”, deklaron Gjebrea. /Top Channel/Telegrafi/