Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku një grua dyshohet se me fëmijët e saj është mbytur në lumin Buna. Policia sot konfirmoi se një nga fëmijët ( vajza 9-vjeçare), është gjetur e pajetë.
Sipas raportimeve të policisë, dyshohet se vajza është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj, transmeton Telegrafi.
Kërkimet për gruan dhe dy fëmijët tjerë janë duke vazhduar nga ana e policisë, ndërsa tashmë është arrestuar bashkëshorti i saj, 31-vjeçar.
“Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit. Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa”, njoftoi sot policia.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
31-vjeçari kishte qenë edhe më herët i dënuar për kultivim të bimëve narkotike.
Policia në komunikatë njoftoi se gjatë kontrolleve, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti./Telegrafi/