Dhuna e përjetuar në familje, ka ndikuar që numri i grave që kërkojnë strehim në “shtëpitë e sigurta”, të rritet.
Sakibe Doli, konsulente e strehimores”Shtëpia e sigurt’’ në Gjakovë, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpi të sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas saj, arsyeja pse kjo po ndodh, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë.
“Këtë vit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për 10 për qind numri i grave në strehimore. Shkaku ndërlidhet me frikën nga rastet që kanë ndodhur pas vrasjeve të grave (me probleme të tilla). Sidomos rasti i fundit në Gjakovë (kur burri kishte vrarë gruan dhe vajzën). Andaj edhe kanë marrë guximin të raportojnë për dhunën dhe kanë zgjedhur strehimoret për të qenë më të sigurta, karshi familjes së tyre”, tha Doli.
Sipas saj, kohëve të fundit ka edhe një mobilizim të shtuar të aktorëve që kanë në përgjegjësi adresimin e rasteve të tilla të dhunës, duke e marrë më me seriozitet punën e tyre.
Sipas Dolit, Kosova ka ligje të mira që rregullojnë këtë fushë apo problematikë, por problemi qëndron te moszbatimi i tyre.
“Gjykimet dhe dënimet nuk janë në nivelin e duhur, andaj kjo ka bërë që dhuna të mos ndalet pasi nuk ndëshkohen ose ndëshkohen fare pak. Këtu përjashtohet rasti i fundit, ku vrasësi i gruas dhe vajzës së tyre është gjykuar dhe dënuar në mënyrë më të shpejtë, vrasje kjo që ndodhi në Gjakovë’’, theksoi Doli.
Dhuna nga bashkëshorti e kishte shtyrë Adelinën (identiteti i njohur për redaksinë) që të largohet nga shtëpia për t’u vendosur në strehimore apo shtëpi të sigurt. Ajo është 20-vjeçare dhe nënë e një vajze të vogël.
Për nëntë muajt e këtij viti, janë raportuar më shumë se 1130 raste të dhunës në familje. Këto janë të dhënat e autoriteteve të rendit në Kosovë, ku sipas tyre, pjesa më e madhe e viktimave janë femra.
Kurse, gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 34 raste të vrasjeve, ku viktima kanë qenë gratë.
Rasti i Adelinës, është specifik. Pas largimit nga shtëpia ku jetonte me bashkëshortin, atë nuk e kishte pranuar as familja e saj, kështu që kishte vendosur të strehohet në njërën nga shtëpitë e sigurta brenda Kosovës.
“Unë jam martuar me dëshirë. Kur jemi njoftuar, ka qenë i mirë dhe i dashur me mua. Jam martuar në moshë të re, dhe kam menduar se do ta vazhdoj shkollimin edhe pas martesës. Por, menjëherë pas martesës filluan mosmarrëveshjet, problemet, dhuna si fizike, po ashtu edhe psikike”.
“Jam përpjekur disa herë ta kuptoj dhe ta gjej një mënyrë që t’i përkushtohet familjes dhe të sillet mirë. Por, përpjekja ime ka qenë e kotë. Disa herë e kam denoncuar edhe në polici, por ata gjithmonë më kanë bindur që të kthehem tek ai, duke më premtuar se dhuna nuk do të ndodhë më. Por, asnjë ndihmë nuk më është ofruar’’, thotë ajo.
Rasti i fundit i dhunës në familje, që përfundoi me krim të rëndë, ndodhi në Gjakovë, ku një burrë vrau gruan e tij 40-vjeçare dhe vajzën e tij 9-vjeçare, që shënon rastin më të rëndë të dhunës në familje për këtë vit.
Megjithatë, edhe zyrtarë institucionalë që merren me të drejta të grave, thonë se dhuna në familje po e mposht drejtësinë.
Sipas tyre, ndonëse në vazhdimësi janë raportuar rastet e dhunës nga ana e grave, drejtësia nuk e ka kryer punën e tyre.
Këtë e thotë për Radion Evropa e Lirë edhe Lirije Kajtazi, deputete, njëherësh zëvendëskryetare e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe persona të pagjetur se vrasësit nuk janë duke e marrë dënimin e merituar.
“Kemi zvarritje të gjykatave për këto raste. Këtë e ka vërtetuar edhe Avokati i Popullit. Në përgjithësi, mund të them se janë zvarritje e paarsyeshme, e që po çon deri te vrasjet”.
“Ushtruesit e dhunës, nëse e shohin se ka neglizhencë të gjyqësisë, është jashtëzakonisht e rëndë dhe mendoj se është e pafalshme, duke e marrë parasysh se dënimi më i madh që është shqiptuar ka qenë 8 vjet”, deklaron ajo.
Ndërsa, shefja e Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Kosovë, Ulrika Richardson, në javën kundër dhunës ndaj grave që është mbajtur gjatë muajit nëntor, ka thënë se 35 për qind e grave në botë kanë përjetuar dhunë.
“Ne shohim se bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë është 1 në 3 femra në mbarë botën, pavarësisht ku jetojnë, në vende me nivel të lartë të zhvillimit ose të pazhvilluara, 1 në 3 femra ose 35 për qind kanë përjetuar lloj të dhunës diskriminimit dhe dhunës seksuale në veçanti”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, edhe Naim Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë, njëherësh koordinator nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje, thotë se dhuna në familje në Kosovë është e pranishme dhe shqetësuese. Por, ai thotë se viteve të fundit, rastet e dhunës po raportohen, nëse krahasohet me një periudhë më të largët, ku rastet e dhunës janë fshehur për shkak të paragjykimeve.
“Në një periudhë jo shumë të largët, si shoqëri jemi ballafaquar me një mentalitet të tilëë që dhuna është mbajtur e fshehur dhe është konsderuar si jo e ndershme që të raportohet. Por, falë zhvillimeve të shoqërisë në përgjithësi, por edhe atyre globale, edhe Kosova ka një avancim në këtë drejtim dhe dhuna në familje tash raportohet”.
“Kjo ka bërë që ne si shoqëri, të shtojmë angazhimet dhe të shohim se si mund ta parandalojmë këtë dukuri kaq të keqe, me të cilën ballafaqohet krejt bota’’, shprehet Qelaj.
Mungesa e mbrojtjes institucionale për viktimat e dhunës në familje ndër vite ka bërë që gratë t’u nënshtrohen martesave abuzive, për shkak se në shumicën e rasteve gratë pas shkurorëzimeve, nuk kanë të drejtë në pronë.
Megjithatë, një rritje e lehtë është evidente kohët e fundit dhe pason me hyrjen në fuqi të një udhëzimi administrativ të vitit 2016, i cili stimulon regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të të dy bashkëshortëve në regjistrat publikë.