Site icon Telegrafi

​Dhoma e Tregtisë: Të lejohet puna e PayPal-it në Kosovë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një shkrese kërkoi nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, që të punohet dhe pranohet që Kosova të jetë pjesë e disa sistemeve elektronike të pagesave, në mënyrë që të njëjtat të jenë valide edhe në Kosovë, siç është rasti për Paypal, i cili dukshëm do të lehtësonte shkëmbimin e transaksioneve të operatorëve ekonomikë me vendet e tjera.

Dhoma e Tregtisë tash e sa kohë është duke kërkuar nga BQK dhe institucionet që të mundësohet realizimi i pagesave ndërkombëtare përmes sistemit PayPal, që do të kishte ndikim pozitiv tek këto të fundit, thuhet në një komunikatë për media.

“Dhoma e Tregtisë ka pranuar shqetësime nga bizneset të cilat eksportojnë jashtë vendit, dhe bëjnë tregti elektronike përmes ecommerce, e të cilat kërkojnë që pagesa të realizohet përmes Paypal. Pamundësia e realizimit të kësaj të fundit po bënë që bizneset të humbin edhe klientët potencial, çështje kjo e ngritur edhe në takimet me kryeministrin dhe ministrin Murati”, thuhet po aty.

Sipas Dhomës së Tregtisë trajtimi me prioritet i kësaj të fundit do të kishte ndikim pozitiv tek operatorët ekonomikë dhe do të lehtësonte realizimin e pagesave ndërkombëtare.

Disa ndër kërkesat të cilat Dhoma e Tregtisë ka adresuar ndër vite tek BQK janë si në vijim:

-Të largohet kamata prej nga bankat komerciale për kthimin e parave të imëta;

-Të zvogëlohet tarifa nga 1 – 3 % në 0.025 % e shumës së paguar nga qytetarët në biznese nëpërmjet pagesave me pos;

-Vështirësitë që po i hasin bizneset me pagesa ndërkombëtare, përkatësisht licensimin e sistemeve elektronike të pagesave, si paypal, cyber source, amazon etj.

-Të ofrohen kredi për bizneset, me grejsperiudhë deri në 2 vjet dhe me afat pagese deri në 10 vjet, me garanci të shtetit. Kreditë të jenë pa interes me grant prej 30% për ndërmarrjet mikro dhe të vogla përmes Fondit për Garanci Kreditore.

Exit mobile version