Site icon Telegrafi

Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për furnizim me mallra për subjektet afariste

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, si përfaqësuese e mbi shtatëqind bizneseve ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës sipas të cilit qarkullimi i mjeteve transportuese të mallrave – furnitorëve në kryeqytet lejohet më së gjati në orarin nga ora 19:00 deri të nesërmen në orën 07:00 (varësisht nga zonat).

“Lidhur me mosrespektimin e këtij Vendimi, sipas njoftimit të Komunës inpektorati komunal ka dalur në teren dhe ka ndaluar qarkullimin e makinerisë si dhe ka shqiptuar gjoba në vlera jashtëzakonisht të larta për vozitësit e automjeteve transportuese të mallrave. Siç është e ditur, në zonat e përmendura në Vendimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës, me leje të kësaj të fundit janë duke u ndërtuar shumë objekte afaristo-banesore që aktualisht gjenden në faza të ndryshme të ndërtimit dhe për realizimin e të cilave është i domosdoshëm mbarëvajtja e furnizimit me materiale nga ana e furnitorëve të ndryshëm”, thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë.

Tutje në reagim theksohet se furnizimi me mallra sipas orarit të përcaktuar me vendimin e tanishëm është bllokim i punës për të gjithë sektorët e biznesit dhe mbi të gjitha është shumë vështirë i zbatueshëm për vendin tonë.

“Andaj, kufizimi i qarkullimit në orarin e përcaktuar pothuajse e pamundëson tërësisht procesin e furnizimit me mallra veçanërisht duke pasur parasysh që ky vendim nuk është bazuar në nevojat e zonës në fjalë, nuk janë mbajtur mjaftueshëm takime për të marrë qëndrimet e palëve të interesit në mënyrë që të ofrohet ndonjë alternative më e përshtatshme pa cunguar veprimtarinë e bizneseve”, thuhet mes tjerash në reagim.

Dhoma e Tregtisë shton tutje se zbatimi i një vendimi të tillë për bizneset të cilat pikë kryesore kanë kryeqytetin për ushtrimin e veprimtarisë së tyre afariste është fatal.
“Andaj si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkojmë nga Kryetari dhe Komuna e Prishtinës pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi. Njëkohësisht, kemi përcjellur kërkesë për takim urgjent me Kryetarin e Komunës, Përparim Rama me qëllim të arritjes së një marrëveshje të favorshme për të dyja palët”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version