Telegrafi

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare – të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga kryeministri, Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. 

DHTIK thekson se praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër.

DHTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita në të cilën bie festa. /Telegrafi/