Telegrafi

Dhoma e Posaçme refuzon kërkesën e “MIM Golesh”

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka pranuar Aktgjykimi nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme me nr: C-I-14-0022 në lidhje me ndërmarrjen “MIM Golesh”, me çka i është refuzuar kërkesë padia e tij ndaj AKP-së.

“Vendimi i Bordit të Drejtorëve për tërheqje të aksioneve dhe kthimin e saj nën administrim të Agjencisë ishte marrë si pasojë e mospërmbushjes së kushteve të kontratës nga ana e blerësit dhe shkeljeve të vazhdueshme të kontratës së shit-blerjes, të konstatuara edhe nga auditimet e Auditorëve të jashtëm të angazhuar nga Agjencia”, ka njoftuar AKP.

Aktgjykimi thekson se vendimet e atakuara të marra nga AKP-ja janë të bazuara në ligj dhe se vendimet e AKP-së për të tërhequr aksionet dhe rimarrë kontrollin mbi kompaninë janë lëshuar në përputhje me rregullat procedurale në fuqi. /Telegrafi/