Dhoma e Lartë e Britanisë ka votuar të miratojë projektligjin Brexit – më në fund duke hapur rrugën për largimin e Britanisë së Madhe më 31 janar nga Bashkimi Evropian, pas disa vitesh bllokim politik.
Deputetët votuan për të miratuar Projektligjin e Marrëveshjes së Tërheqjes, e cila do të bëhet ligj pasi të miratohet, siç pritet, nga Dhoma e Lartë, transmeton Telegrafi.
Kalimi i projektligjit është një fitore për kryeministrin Boris Johnson, i cili është zotuar se Britania do të largohet nga BE në datën e caktuar.
Britania ka votuar ngushtë për të lënë BE në një referendum të vitit 2016. Por, para zgjedhjeve të 12 dhjetorit, ligjvënësit mposhtën vazhdimisht përpjekjet e Johnson-it dhe të paraardhësit Theresa May për të siguruar mbështetje për projektet e tyre të Brexit.
Faza e vështirë ‘akoma nuk ka ardhur’
Por, përkundër premtimit të përsëritur të Johnson për “të përfunduar Brexit” në 31 janar, largimi do të shënojë vetëm fillimin e fazës së parë të daljes së vendit nga BE. Britania dhe BE do të fillojnë më pas në negociata për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, duke garuar për të arritur marrëdhënie të reja për tregti, siguri dhe një mori fushash të tjera deri në fund të vitit 2020.
Britania dhe BE do të duhet të bëjnë marrëveshje për gjithçka, që nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve deri tek peshkimi, aviacioni, ilaçet dhe siguria. BE këmbëngul se nuk ka asnjë mënyrë për të trajtuar të gjitha këto çështje në më pak se një vit. /Telegrafi/