Site icon Telegrafi

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon modernizimin e sistemi tatimor në Shqipëri

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë (AmCham), Enio Jaço deklaroi sot se sistemi tatimor në Shqipëri duhet të modernizohet, duke cituar një raport të Fondit Ndërkombëtar Monetar.

Në një postim në Facebook, Jaço është shprehur se sistemi aktual krijon pabarazi dhe padrejtësi tek bizneset duke frenuar klimën e investimeve.

“Të njëjtat gjetje të FMN-së në raportin e asistencës teknike mbi sistemin fiskal të Shqipërisë, konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej kohësh nga Dhoma Amerikane”, ka theksuar Jaço

“Ka mbi 30 vjet që ky sistem vijon të jetë burimi kryesor i evazionit fiskal dhe jo vetëm”, ka shtuar kreu i AmCham.

Sipas tij, AmCham ka kërkuar në mënyrë sistematike adresimin e kësaj çështjeje dhe ka hartuar një set rekomandimesh që ndihmojnë krijimin e një sistemi modern taksash me standarde bashkëkohore.

“Ne mbështesim ndryshimin e këtij sistemi njëherë e përgjithmonë për të krijuar garanci në premisa të reja dhe rregulla të ndershme”, shtoi ai.

Jaço tha se pret që rekomandimet e AmCham-it të konkretizohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet grupeve të punës që janë krijuar dhe ku po trajtohet “Axhenda e Investimeve”. /Telegrafi/

Exit mobile version