Site icon Telegrafi

Dhjetëra të zhdukur në ujërat e trazuar, numri i të vdekurve mund të shkojë në mbi 100 pasi një anije “u përplas me shkëmbinj” në brigjet e Italisë

Oficerët e rojës bregdetare po patrullojnë përgjatë bregdetit pranë qytetit jugor italian të Crotone, pasi një varkë prej druri me rreth 200 emigrantë u përplas në shkëmbinj nënujorë, duke vrarë të paktën 60 njerëz, përfshirë fëmijë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur në ujërat e trazuar dhe zyrtarët kanë frikë se numri i të vdekurve mund të arrijë në 100.

Të paktën 80 persona u gjetën të gjallë, tha roja bregdetare italiane.

“Të gjithë të mbijetuarit janë të rritur”, ka thënë vullnetari i Kryqit të Kuq, Ignazio Mangione.

“Fatkeqësisht, të gjithë fëmijët janë në mesin e të zhdukurve ose u gjetën të vdekur në plazh. Mes të vdekurve u raportua edhe një foshnjë”.

Disa nga të mbijetuarit më të rinj, sipas Mjekëve pa Kufij, ishin një 16-vjeçar dhe një 12-vjeçar nga Afganistani.

Varka thuhet se u përplas me shkëmbinj disa metra larg brigjeve të Italisë pasi u nis nga Turqia.

Ndërkohë po punohet edhe për identifikimin e katër kontrabandistëve të dyshuar.

Një burrë thuhet se u mor në paraburgim për t’u marrë në pyetje pasi të mbijetuarit treguan se ai ishte një trafikant. /Telegrafi/

Exit mobile version