Site icon Telegrafi

Dhjetëra të arrestuar për abuzim seksual të fëmijëve pas vrasjes së dy agjentëve të FBI-së

Gjithsej 98 persona janë arrestuar në lidhje me abuzimin seksual të fëmijëve dhe 13 fëmijë janë shpëtuar, njoftuan sot autoritetet amerikane dhe australiane, më shumë se dy vjet pasi dy agjentë të FBI-së u vranë duke hetuar një rrjet të dyshuar ndërkombëtar pedofilësh.

Në një konferencë për shtyp, Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Policia Federale Australiane (AFP) thanë se 79 arrestime, 65 aktakuza dhe 43 dënime në SHBA u kryen si rezultat i operacionit të përbashkët, ndërsa 19 burra u arrestuan në Australi.

Dy agjentë të FBI-së që po merreshin me hetimet u qëlluan për vdekje në vitin 2021 ndërsa po ekzekutonin një urdhër kërkimi për një programues kompjuteri të dyshuar për posedim të materialeve pornografike të fëmijëve, raportoi më parë CNN.

Rrjeti i supozuar i abuzimit të fëmijëve ka kryer shkelje për më shumë se 10 vjet, tha Komandanti i Policisë Federale Australiane, Helen Schneider.

“Disa nga fëmijët ishin të njohur për burrat që u arrestuan”, shtoi Schneider, por nuk pranoi të komentojë më tej.

Ndryshe, agjentët special të FBI-së, Daniel Alfin dhe Laura Schwartzenberger vdiqën në shkëmbim zjarri në një kompleks apartamentesh në Sunrise, Florida, ndërsa po ekzekutonin një urdhër kërkimi më 2 shkurt të vitit 2021. Tre agjentë të tjerë u plagosën ndërsa i dyshuari vdiq në vendngjarje.

Vdekja e tyre shënoi herën e parë që nga nëntori i vitit 2008 që një agjent i FBI-së u qëllua për vdekje në krye të detyrës. /Telegrafi/

Exit mobile version