Site icon Telegrafi

Dhjetë vjet zvarritet gjyqi, vepra penale parashkruhet

Ilustrim

Institucioneve të drejtësisë nuk u kanë mjaftuar 10 vjet për të gjykuar një rast të dyshuar të gjuajtjes me armë. Zvarritja ka ndikuar që të bëhet vjetrimi i veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ndaj Xhemajl Sekiraqës.

Sekiraqa akuzohej se ka shtënë me armë tri herë nga tarraca e shtëpisë së tij, duke dëmtuar xhamat e shtëpive të fqinjëve. Fillimisht, ai ngarkohej për shfrytëzim të paautorizuar të armëve, por prokurorja Besa Limani rikualifikoi veprën penale duke e cilësuar shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Andaj, si rezultat, gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, bëri të ditur se ka ndodhur vjetërsimi absolut i veprës penale.

Për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm parashihet dënim prej pesë vjetësh burg dhe pasi kjo vepër ka ndodhur në vitin 2007, është bërë parashkrim i(vjetrimi) i saj.

Një vepër penale vjetrohet nëse gjykata nuk merr vendim gjatë periudhës kohore sa dyfishimi i burgut të paraparë për këtë vepër.

Gjatë fjalës së tij përfundimtare, Sekiraqa mohoi në tërësi të ketë shtënë me armë tri herë, madje ai pretendoi se në atë ditë nuk kishte qenë fare në shtëpi. Sipas tij, lajmin për këto të shtëna e kishte marrë nga nëna e tij katër ditë pasi që kishte ndodhur ngjarja. Madje, ai theksoi se asnjëherë më parë nuk e ka njohur Baki Deliun dhe Enver Hysenin.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Sekiraqa ka përdorur armën me kërcënim më 1 korrik 2007 rreth orës 16:20 minuta në rrugën “Ahmet Delia” në Prishtinë. Në aktakuzë thuhet se Sekiraqa nga tarraca e shtëpisë së tij ka shtënë tri herë me armë të llojit të panjohur, me ç‘ rast ka dëmtuar xhamat e shtëpive të fqinjëve të tij Baki Deliut dhe Enver Hysenit.

Në kohën e të shtënave në shtëpinë e Enver Hysenit kishin qenë të gjithë anëtarët e familjes. /kallxo.com/

Exit mobile version