Site icon Telegrafi

Dhjetë të vdekur gjatë fundjavës nga ortekët në alpet austriake dhe zvicerane

Dhjetë persona kanë humbur jetën si rrjedhojë e disa ortekëve në alpet austriake dhe zvicerane gjatë fundjavës.

Turistët nga Zelanda e Re, Kina dhe Gjermania ishin në mesin e të vdekurve në një numër vendpushimesh të ndryshme të skijimit, transmeton Telegrafi.

Autoritetet austriake vendosën një alarm të nivelit të katërt për ortekët – i dyti më i madhi – pas reshjeve intensive të borës dhe erës në zonë.

Pavarësisht paralajmërimeve, vendpushimet e skive në Austrinë perëndimore janë mbushur plot për shkak të pushimeve shkollore në Vjenë.

Policia austriake njoftoi pesë viktima të dielën, duke përfshirë atë të një 59-vjeçari që po përdorte borëpastrues në rajonin perëndimor të Tirolit.

Ata gjetën gjithashtu trupin e një udhërrëfyesi skijimi në Sankt Anton am Arlberg dhe trupin e një 62-vjeçari i cili po bënte ski në rrugë rreth majës së Hohe Aifner.

Të shtunën, një 17-vjeçar nga Zelanda e Re, një shtetas kinez 32-vjeçar dhe një gjerman rreth të 50-tave – për të cilët thuhej se të gjithë po bënin ski jashtë shtigjeve të përcaktuara të skive kur ranë ortekët – u gjetën gjithashtu të vdekur.

Në Zvicër, një grua 56-vjeçare dhe një burrë 52-vjeçar u vranë gjithashtu nga bora e paqëndrueshme në kantonin juglindor të Graubuenden të shtunën në mëngjes. Policia zvicerane tha se një anëtar i tretë i grupit të tyre arriti të shpëtonte i padëmtuar.

Ortekët janë të zakonshëm në të dy vendet. Sipas agjencisë së lajmeve APA të Austrisë, vetëm të shtunën u raportuan 30 orteqe në rajonin e Tirolit – 11 prej tyre kishin pasur ndikim tek njerëzit.

Niveli i alarmit të nivelit të katërt të Austrisë do të thotë “ka të ngjarë ortekë shumë të mëdhenj” – ky nivel këshillon skiatorët e papërvojë të qëndrojnë në pista dhe shtigje skish të hapura dhe për skiatorët me përvojë të qëndrojnë larg terreneve shumë të pjerrëta. /Telegrafi/

Exit mobile version