Të paktën 10 persona janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur në një zjarr që shpërtheu në një shtëpi kujdesi pranë Zaragozas në veri-lindje të Spanjës, thonë shërbimet e urgjencës.
Bëhet e ditur se zjarri shpërtheu në qytetin e Villafranca de Ebro dhe zyrtarët lokalë thanë se 82 persona ishin në shtëpi në atë kohë.
Qendra u hap 16 vjet më parë si një shtëpi të moshuarish, sipas raporteve lokale, por që atëherë është specializuar në kujdesin për banorët me demencë dhe probleme të shëndetit mendor.
Deri më tani, nuk dihen moshat e atyre që kanë vdekur, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, dy persona të tjerë u dërguan në spital, duke përfshirë një gjendja e të cilit u përshkrua si kritike nga kryebashkiaku i Villafranca de Ebro, Volga Ramirez.
Ndërkohë, delegati i qeverisë spanjolle në rajonin e Aragon, Fernando Beltran, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe tha se ata do të vazhdojnë të monitorojnë përparimin e atyre që janë në spital dhe hetimin për shkakun e zjarrit.
Kryeministri Pedro Sanchez shprehu gjithashtu shqetësimin dhe tronditjen e tij për katastrofën.
Ndryshe, nëntë vjet më parë, një zjarr fatal la nëntë të vdekur në një shtëpi tjetër të moshuarish në zonën e Zaragozas. /Telegrafi/