Dhjetë shkolla të Komunës së Gjilanit janë pajisur sot me tabelë të mençura të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë inovativ të integruar në mësimdhënie dhe mësim-nxënie sipas standardeve të shekullit 21.
Drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, ka thënë se me furnizimin e tabelave të mençura, Gjilani po i përgjigjet me ritëm të shpejtë zhvillimeve dhe ndryshimeve në qasjen e mësimdhënies dhe mësim-nxënies, duke shfrytëzuar avantazhet e teknologjisë së informatikës si kusht themelor i procesit të reformës kurrikulare.
“Përmes tabelave te mençura nxënësit dhe mësimdhënësit do t’i përmbushin nevojat për të nxënit interaktiv, trajtim gjithëpërfshirës të temave, punë të pavarur, dominimi i punës individuale dhe grupore e kontroll i drejtpërdrejtë”, ka deklaruar Gagica.
Vlen të theksohet se nesër do të filloj të përmbushet premtimi i kreut të Komunës, Lutfi Haziri, për shujtat për nxënësit, ku pilot projekti do të nis së zbatuari me nxënësit e shkollës fillore në Verbicë të Zhegocit.