Site icon Telegrafi

Dhjetë ndërtesat më të shtrenjta në botë

Njerëzit kanë tendencë të garojnë me njëri-tjetrin, në pothuajse çdo fushë që mund ta mendoni. E, kjo natyrë njerëzore natyrisht që ndikon në mënyrën se si i qasemi aktiviteteve të ndryshme dhe arkitektura nuk bën përjashtim.

Vende të ndryshme të botës janë bërë shtëpi e ndërtesave të larta e të shtrenjta, dhjetë të parat prej të cilave ua kemi sjellë më poshtë (kostot janë të përshtatura për inflacion).

1. Kompleksi ‘Marina Bay Sands’, Singapor

Ndërtesa më e shtrenjtë në botë është edhe kazinoja më e shtrenjtë në botë. Me një kosto prej 5.5 miliardë dollarësh, pjesa më mbresëlënëse e kompleksit është ‘parku qiellor’, që lidh tri ndërtesa të afërta me njëra-tjetrën dhe që mund t’i akomodojë afro 4000 persona. Kostoja e përgjithshme e ndërtesës, në momentin e finalizimit në vitin 2010, ka qenë 6 miliardë dollarë.

2. Resorti ‘World Sentosa’, Singapor

Në bregun jugor të Singaporit gjendet Resorti i famshëm, ‘World Sentosa’. Hapësirat përreth këtij kompleksi ofrojnë pamje të mahnitshme për vizitorët, duke filluar nga numri i madh i gjallesave ujore. Ndërtimi i këtij kompleksi ka pasur një kosto prej 5.38 miliardë dollarësh.

3. ”Emirates Palace”, Emiratet e Bashkuara Arabe

Hoteli luksoz “Emirates Palace” gjendet në një plazh privat i rrethuar nga kopshtet e bukura në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky projekt ambicioz është kompletuar në vitin 2005 dhe ka kushtuar 4.46 miliardë dollarë.

4. Hoteli dhe Kazino “The Cosmopolitan”, Las Vegas, Nevada, SHBA

Njëri nga hotelet dhe kazinotë më të shquara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës padyshim është “The Cosmopolitan”, që është një kompleks i dy ndërtesave me 3,000 dhoma hoteli, kazino dhe disa restorante. Në vitin 2013 ky hotel ka marrë çmimin për hotelin më të mirë në botë, ndërsa kostoja e ndërtimit të tij ka qenë 4.16 miliardë dollarë

5. Ndërtesa në Qendrën Botërore të Tregtisë, Nju-Jork, SHBA

Ndërtesa që njihet edhe si Kulla e Lirisë është ndërtuar në shenjë përkujtimi të njerëzve që kishin humbur jetën dhe objekteve që ishin shkatërruar në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Ndërtesa është kompletuar zyrtarisht në maj të vitit 2013. Ndërsa ka kushtuar 3.8 miliardë dollarë.

6. Resorti ‘Wynn’, Las Vegas, Nevada, SHBA

E përfunduar në vitin 2005, kjo ndërtesë është paraqitur në një sërë filmash dhe programesh televizive, që janë realizuar në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Objekti në fjalë ka 45 kate dhe ndërtimi i tij ka kushtuar plot 3.26 miliardë dollarë.

7. Kazinoja Venedikase në Makau, Kinë

Kjo kazino është pronë e kompanisë ‘Las Vegas Sands’ dhe mban epitetin e kazinosë më të madhe në botë. Kur ishte ndërtuar në vitin 2007 ajo kishte kushtuar 2.97 miliardë dollarë, derisa ndërtesa në brendësi ka më shumë se 800 tavolina loje dhe 3,400 makina.

8. ‘Qyteti i Ëndrrave’, Makau, Kinë

Qyteti i Ëndrrave në Makau të Kinës është një tregim suksesi në industrinë e kumarit. Kjo ndërtesë masive ka kushtuar 2.75 miliardë dollarë dhe është kompletuar në vitin 2009.

9. ‘Antilla’, Mumbai, India

Kjo ndërtesë dallon nga të tjerat në këtë listë për shkak se është rezidencë personale. E emëruar në bazë të ishullit mitin Antialla, ndërtesa është pronë e kryetarit të ‘Reliance Industries’, zotëri Mukesh Ambani. Kjo është ndërtesa më e madheprivate në botë dhe është kompletuar në vitin 2010, me një kosto prej 2.53 miliardë dollarësh.

10. Hoteli ‘Bellagio’, Las Vegas, Nevada, SHBA

Ky hotel, që mban emrin e fshatit italian, Bellagio, ka një hapësirë prej 935 dhomash dhe është i njohur për Ujëvarat e Bellagio-s, që i kënaqin vizitorët me ujin që vallëzon në koordinim me tingujt e muzikës. Kostoja e ndërtimit të këtij hoteli ka qenë 2.29 miliardë dollarë dhe ndërtimi i tij është kompletuar në vitin 1998.

Exit mobile version