Besnik Humolli, trajner fitnesi
www.fitness-prishtina.com
1 Vazhdimisht lëvizni. Nëse bëni pauzë duke mos lëvizur aspak ndërmjet intervaleve të ushtrimeve të rënda aerobike, ndodh që acidi laktik të mblidhet në muskuj. Nëse pini ujë dhe jeni vazhdimisht në lëvizje, madje edhe gjatë pauzave, muskujt tuaj do ë lirohen nga lëngjet “e këqija” dhe do të përshkohen nga lëngjet “e mira”, kështu që do të keni fuqi më të madhe në intervalin e radhës.
2 Filloni të kërceni me litar. Kërcimi me litar paraqet një formë të shpejtë për të plotësuar ‘ushtrimet aerobike’. Kështu, bëni një interval të shkurtë gjatë të cilit vetëm do të kërceni litarin me qëllim që të shpenzoni sasi të mëdha të kalorive dhe t’i shkrini kilogramët e tepërt.
3 Ruani shprehitë e vjetra të mira, por përvetësoni edhe disa shprehi të reja. Mbani ato shprehi të cilat janë treguar të suksesshme, dhe vazhdimisht vlerësoni. Ndërkohë mos hezitoni të mësoni shprehi të reja të cilat do t’ju mundësojnë arritjen e përgatitjes më të madhe fizike dhe djegien e më shumë kalorive.
4 Kujdes thembrat. Nëse vraponi, ecni, ecni shpejtë ose bëni ushtrime aerobike më shumë se tri herë në javë, ju i mundoni thembrat tuaja. Ekzistojnë atletike të dizajnuara në veçanti për llojet e sporteve me të cilat merreni, me ç’rast këmba juaj do të përshtatet më së miri. Duke mbathur atlete të këtilla mund të pengojmë edhe lëndimet.
5 Kokën lartë! Shumë njerëz shikojnë në ‘display’ gjatë kohës kur vrapojnë në shirit. Mirëpo ekspertët thonë se nëse shikojmë drejt përpara, mund të bëjmë hapa më të gjatë dhe mund ta shfrytëzojmë më së miri oksigjenin që kemi në dispozicion, dhe në këtë mënyrë do të na ndihmojë që të shpenzojmë më shumë kalori.
6 Merrni një mik. Mos u mundoni vetëm. Hulumtimet kanë treguar se njerëzit të cilët ushtrojnë me ndonjë mik janë dy herë më shumë të prirë për t’iu përmbajtur programit të tyre aerobik, në krahasim me njerëzit të cilët ushtrojnë vetë.
7 Mos u mbështetni. Derisa jeni duke bërë ndonjë ushtrim vrapimi në ndonjërën nga pajisjet mekanike të cilat kanë mbajtëse për duar mos u mbështetni shumë, por vetëm vendosni duart. Njerëzit të cilët mbështeten shumë në mbajtëset për duar humbnin efikasitetin e ushtrimit.
8 Pini lëngje! Nëse ushtrimet tuaja zgjatin më shumë se 90 minuta, është më mirë të pini lëngje sportive sesa ujë të zakonshëm. Pijet energjetike na mundësojnë të kompensojmë energjinë dhe lëngjet e humbura, sepse përmbajnë sheqerna dhe ujë.
9 Relaksohuni dalëngadalë. Nëse menjëherë pas një trajnimi të rëndë largoheni nga pajisjet mekanike, kjo mund të sjellë deri te grumbullimi i acidit laktik në muskuj. Në vend se ta bëni këtë relaksohuni për disa minuta në pajisjen mekanike duke zvogëluar dalëngadalë shpejtësinë dhe intensitetin. Nëse mendoni se ushtrimi juaj ka qenë më i mundimshëm se herëve tjera, atëherë relaksimi graduale të zgjatë pesë deri dhjetë minuta.
10 Bëhuni të qëndrueshëm! Ushtrime e rregullta aerobike na ndihmojnë të jemi më energjikë, të zvogëlojmë nivelin e lodhjes dhe të vazhdojmë në djegien e kalorive të shumta. ‘Kardio-ushtrimet’ po ashtu zvogëlojnë shtypjen e gjakut, përmirësojnë nivelin e kolesterolit dhe çojnë në lirimin e sasisë më të madhe të endorfinës- e cila është e lidhur me përmirësimin e disponimit. /Telegrafi/