Zjarrfikësit në Prishtinë edhe pse me numër të vogël e pajisje të vjetërsuara, po vazhdojnë intervenimet në shuarjen e zjarreve fushore, malore, por edhe në ndërtesa. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit ata kanë pasur dhjetë intervenime, ndër të cilat edhe një banes.
Zëdhënësi i shefit të ndërrimit, Shaban Krmemi, në një intervistë për KosovaPress, tha se djegia e disa mbeturina në Vranjefc ka zgjatur 24 orë dhe po vazhdon ende.
“Në 24 orët e fundit në brigadën e zjarrfikësve së Prishtinës, i kemi pasur 10 intervenime prej tyre 6 zjarre fushore, malore, 3 intervenime teknike dhe një intervenim ka qenë në banesë. Edhe në Vranjefc ka ndodhur djegie të mbeturinave, është djegia që 24 orë nuk është shuar pasi janë të hedhura mbeturina. Kemi bërë kërkesë prej nivelit komunal të vijnë me bagër të mbulojnë me dhe, është pranuar kërkesa, tashme jemi në pritje”, ka deklaruar Krmemi.
Ndërkohë, Krmemi është shprehur se për nga aspekti logjistik nuk janë në gjendje të mirë, pasi pajisjet që i kanë në dispozicion janë vjetruar.
“Nuk jemi shumë në gjendje të mirë, kemi disa pajisje por këto janë të vjetra, sidomos këto për zjarret fushore, malore, i kemi të gjitha në dispozicion. Ne nuk mbulojmë vetëm Prishtinën por edhe Çagllavicë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Kemi vetëm dy kamion që janë të vetëm për atë lloj intervenimi, ndërsa duke u bazuar në hapësirat sa i kemi janë shumë pak”, ka theksuar ai.
I pyetur se nëse zjarrfikësit e Prishtinës mund t’i ndalin në ndihmë komunave të tjera në rast nevoje, aiështë shprehur së nuk kanë mundësi.
“Për momentin, në këtë interval kohor, korrik dhe gusht, me numrin e vogël të punëtorëve që e kemi, nuk kemi mundësi t’i dalim në ndihmë askujt nga komunat, vetëm nëse është diçka e jashtëzakonshme dhe duhet të mobilizohen zjarrfikësit, por për momentin, më një ndërrim sikurse që jemi, i kemi në dispozicion gjithsej 7 zjarrfikës që janë në operativ, pa e llogaritur telefonistin, ata 7, ne nuk guxojmë t’i largojmë nga qyteti i Prishtinës, duke e ditur se qyteti tashmë është i ngarkuar për obligimeve”, vijojë ai.
Ndryshe, zëdhënësi i shefit, është shprehur i mllefosur ndaj institucioneve për mos aprovimit të ligjit për paga.
“Nëse flasim në aspektin e zjarrfikësve, ne jemi të zhgënjyer pasi jemi pala më e dëmtuar prej krejt institucioneve publike. Neve nuk na paguhet as ndërrimi i natës, as festat, as mbas orarit të punës, asnjë nga këto nuk na paguhet, jemi më të dëmtuarit me plot kuptimin e fjalës, nga mosaprovimi i ligjit të pagave. Për neve do të ishte shumë i mirëseardhur, duke e ditur se nuk është njësi që duhet të anashkalohet, sepse ne i dalim në ndihmë qytetarëve duke e rrezikuar jetën tonë, për të mirat materiale dhe shpëtimin e jetës së qytetarëve”, tha ai.
Sipas tij, për momentin janë 110 zjarrfikës dhe në një ndërrim janë vetëm 11 zjarrfikës operativ, ndërsa, mosha mesatare e një zjarrfikësi është 49 vjet.
Mbi 900 intervenime kanë kryer zjarrfikësit tanë vetëm në rajonin e Prishtinës, që nga fillimi i këtij viti, e vitin e kaluar mbi 2 mijë intervenime.