Dhjetë fatkeqësitë më të kushtueshme të motit të vitit 2021 tejkaluan dëmin total prej 170 miliardë dollarësh (150 miliardë euro), sipas një OJQ britanike.
Shifra është një rritje nga viti i kaluar dhe pasqyron ndikimin në rritje të ngrohjes globale, tha Christian Aid në raportin e saj vjetor të publikuar të hënën, përcjell Telegrafi.
Dhjetë ngjarjet ekstreme të motit vranë gjithashtu të paktën 1,075 njerëz dhe zhvendosën më shumë se 1.3 milionë të tjerë.
Vitin e kaluar, dëmi ekonomik i 10 ngjarjeve më të kushtueshme të motit u llogarit në afro 150 miliardë dollarë (132.5 miliardë euro) nga OJQ-ja, e cila thekson se shumica e vlerësimeve “bazohen vetëm në dëmin e siguruar, duke sugjeruar kosto reale edhe më të larta”.
Kjo renditje ekonomike mbi-përfaqëson fatkeqësitë në vendet më të pasura me infrastrukturë më të zhvilluar dhe më të siguruar, por OJQ-ja thekson se “disa nga ngjarjet më shkatërruese të motit ekstrem të vitit 2021 ndodhën në vendet e varfra, të cilat kanë kontribuar pak në shkaqet e ndryshimeve klimatike” dhe ku pjesa më e madhe e dëmit nuk është raportuar. /Telegrafi/