Site icon Telegrafi

Dhimbjet kronike abdominale te fëmijët

Fëmijët me dhimbje kronike abdominale përfaqësojnë një popullsi heterogjene të përfshirë nga çrregullime organike dhe funksionale gastrointestinale. Sëmundjet funksionale janë ato të cilat nuk mund të sqarohen nga anomali strukturale ose biokimike.

Mjekët duhet të ndjejnë një siguri, duke e etiketuar dhimbjen abdominale kronike si një problem funksional i zgjidhshëm. Pas një sërë analizash, fëmijët dhe prindërit e tyre mund të qetësohen duke ju sqaruar se simptoma të tilla janë të zakonshme dhe rrallë të shoqëruara me sëmundje. Megjithatë, pediatria e kupton dhimbjen kronike abdominale si një sëmundje e rëndë dhe rezistente ndaj terapisë.

Kush preket nga dhimbja kronike abdominale?
Shtrirja e dhimbjes kronike abdominale në studimet e bazuara llogaritet nga 0.5 deri në 19% dhe ndryshon varësisht nga vitet dhe termi përshkrues i përdorur. Studimet të cilat kanë përfshirë klasifikimet me moshë më të lartë, kanë treguar dy kulminacione në moshë: e para në moshën 4-6 vjeçare dhe e dyta në moshën 7-12 vjeçare. Predominimi i vajzave është kontraverz.

A kanë dhimbje kronike abdominale fëmijët e prindërve me ankth ose depresion?
Që të dyja. Ankthi i nënës dhe babait, në vitin e parë të jetës së fëmijës, shoqërohen me dhimbje abdominale para moshës gjashtë vjeçare të fëmijës. Kjo tregon se ankthi tek prindërit, që i shqetëson fëmijët e tyre, mund të ndikojë te këta fëmijë në një mënyrë që t’i forcojë simptomat. Fëmijët e prindërve me probleme gastrointestinale janë më të prirë të kenë dhimbje kronike abdominale, se sa fëmijët e prindërve pa probleme të tilla.

A kanë dhimbje abdominale fëmijët seksualisht të abuzuar?
Studimet e bazuara në masë dhe në klinika kanë treguar se një numër i konsiderueshëm të rriturish me sundromin iritues të zorrëve kanë pasur të kaluar të abuzimit fizik, emocional dhe seksual. Pak dihet rreth rolit të abuzimit seksual dhe lidhjes me dhimbjet kronike abdominale te fëmijët.

Pse fitojnë fëmijët dhimbje kronike abdominale?
Ndjeshmëria e organeve të brendshme, ndryshimi hormonal, inflamacionet, problemet me motilitetin gastrointestinal, faktorët psikologjikë dhe dinamika familjare, janë treguar si faktorë me ndikim në dhimbjet kronike abdominale me origjinë funksionale. Dihet se truri dhe zorrët kanë një shkëmbim të vazhdueshëm të informatave. Si shembull i origjinës komplekse të dhimbjeve funksionale abdominale është observimi se pacientët të cilët zhvillojnë kolitis bakterial janë më të prirë ta zhvillojnë sindromën irituese të zorrës, nëse infeksioni vjen gjatë momenteve stresuese të jetës.

Modeli biopsikosocial i sëmundjes
Modeli biopsikosocial jep një bazë konceptuale për të kuptuar dhe legjitimuar simptomat gastrointestinale që nuk janë të lidhura për një çrregullim specifik organik, siç janë dhimbja abdominale, diarreja dhe konstipacioni. Në modelin biopsikosocial të kujdesit, kontrolli i fëmijës me dhimbje funksionale abdominale duhet të pëfshijë të gjithë faktorët e lidhur. Ndryshimet në sjellje për tu përballë më mirë me dhimbjen mund të jenë aq të nevojshme, sa edhe intervenimet farmakologjike për të ulur sensitivitetin e organeve të brendshme dhe motilitetin.

Si diagnostikohet?
Komiteti i pediatërve gastroenterolog Amerikan, ka vërtetuar së fundi, se nuk ka mënyrë diagnostifikuese për të dalluar dhimbjen funksionale abdominale nga dhimbja organike abdominale. Vetëm prania e simptomave alarmuese e rrit probabilitetin e çrregullimeve organike dhe arsyeton testet e mëtejme diagnostike. Simptomat ose shenjat alarmuese janë përfshirë në pasqyrën 1 (por nuk janë të kufizuara vetëm në këto). Fëmijët me simptoma alarmuese kanë nevojë për testime laboratorike shtesë (shkallën e sedimentit të eritrociteve, tabelën e hollësishme metabolike dhe analiza të tjera), për të ekzaminuar mundësinë e çrregullimeve organike siç janë: çrregullimet inflamatore të zorrëve, çrregullimet celiake, ose çrregullimet tjera me shkallë më të ulët.

Simptomat alarmuese kur fëmija paraqitet me dhimbje kronike abdominale
* Humbja e peshës
* Frenimi i rritjes lineare
* Humbja gastrointestinale e gjakut
* Vjellja e theksuar
* Diarrea e vazhdueshme kronike
* Ethet e pashpjegueshme
* Dhembjet e qëndrueshme të kuadratit të djathtë të sipërm ose të djathtë të poshtëm
* E kaluara familjare në sëmundjet inflamatore të zorrëve

Cila është vlera e ekzaminimit të së kaluarës dhe të atij fizik?
Kur simptomat alarmuese nuk gjenden, nuk ka dëshmi që, karakteristikat e dhembjes, si: frekuenca, vrazhdësia ose lokacioni, të jenë në gjendje të bëjnë dallime mes çrregullimeve funksionale ose organike. Simptomat shoqëruese si kokëdhembja, anoreksia, nauzea, konstipacioni – përfshihen sa te fëmijët me dhimbje abdominale si një manifestim i çrregullimeve funksionale, po aq edhe tek ata me dhimbje si pasojë e çrregullimeve organike. Prania e momenteve stresuese, ankthit, depresionit ose problemeve behavioriste, nuk mund të shfrytëzohen në dallimin mes dhimbjeve funksionale ose organike abdominale. Studimet që vlerësojnë këtë raport mund të mos vërtetojnë nëse fëmija është në ankth ose depresion për shkak të dhimbjeve abdominale.

Cila është rëndësia diagnostifikuese e testeve shtesë?
Asnjë studim nuk ka treguar rëndësinë e testeve laboratorike për të bërë dallimin mes dhimbjeve funksionale dhe organike abdominale, në mungesë të simptomave alarmuese. Janë të mangëta dëshmitë se ekzaminimet radiografike dhe ultrasonike të abdomenit, monitorimit të pH ezofageale, ose endoskopia dhe biopsia, mund t’i dallojnë dhimbjet abdominale funksionale nga ato organike.

Cilët faktorë mund të parashikojnë kohëzgjatje të dhimbjes?
Bazuar në studimet e zhvilluara, duket se faktorët prindëror, më shpesh se sa karakteristikat psikologjike të fëmijës, paracaktojnë një tejzgjatje të dhimbjeve abdominale. Fëmijët me dhimbje kronike abdominale që përjetojnë momente stresuese në jetë rrezikohen nga vazhdueshmëria e dhimbjeve.

A mund të trajtohet dhimbja kronike abdominale?
Largimi i shqetësimeve rreth sëmundjes është terapia primare tek fëmijët me dhimbje abdominale kronike pa simptoma alarmuese; një përqindje e konsiderueshme e mjekëve klinik përshkruajnë intervenime në ushqim ose intervenime farmakologjike, përfshirë analgjetikë, antispasmodikë, sedativë dhe, së fundi, probiotikë.

Sa efektive janë intervenimet farmakologjike si dhe ato ushqimore?
Vaji i mendrës mendohet të qetësojë muskulaturën e lëmuar. Në një eksperiment, 42 fëmijëve me sindrom iritues të zorrëve, u është dhënë kapsula me vaj mendre ose placebo. Përmirësimet kanë treguar ndryshime te 71% nga ata që kanë pranuar vaj mendre, krahasuar me 43% të atyre që kanë pranuar placebo.
Eksperimenti me 14 fëmijë me migrenë abdominale, ka treguar se pizotifeni është efektiv në uljen e dhimbjeve krahasuar me placebo-n. Dëshmitë tjera tregojnë një efekt të agonistëve H2 (famotidine) në simptomat me dhimbje funksionale abdominale. Famotidina ka përmirësuar simptomat e dispepsisë vetëm në grupin e fëmijëve me simptoma të rënda dispepsie.

Sa efektive janë intervenimet psikologjike?
Modeli biopsikosocial sugjeron se dhimbja funksionale abdominale është e lidhur me një varg shkaktarësh, ku janë të rëndësishëm edhe faktorët psikologjik. Tri eksperimente në këtë aspekt, kanë dëshmuar efikasitetin e intervenimeve psikologjike behavioriste te fëmijët dhe te familja, në trajtimin e dhembjeve abdominale.

Si mund ta përmirësojmë kontrollin e dhimbjes kronike abdominale?
Duke ditur ndikimin shumë-faktorësh në dhimbjet kronike abdominale dhe ndikimin e faktorëve familjarë, është e përshtatshme që sëmundja të kontrollohet në kujdesin primar shëndetësore. Gjatë kontrollit ditor klinik, një histori e vëmendshme e sëmundjes dhe një ekzaminim fizik i tërësishëm duhet të jenë të mjaftueshme për t’i njohur fëmijët me dhimbje abdominale kronike. Nuk duhet harruar se dhimbja funksionale abdominale ka një ndikim të madh në mirëqenien e fëmijës. /Telegrafi/

Exit mobile version